Arrestohet në Dubai, Florenc Çapja, njëri nga njerëzit kryesor të grupit Çapja në Elbasan dhe pritet që të ekstradohet në Shqipëri për t’u gjykuar
Kujtojmë se në muajin mars Policia e Elbasanit arrestoi Ardjan Çapja dhe shpalli në kërkim Florenc Çapja, pasi dyshohet se në bashkëpunim me disa persona të tjerë, kanë vrarë me armë zjarri në vitin 2012 Gentian Beqirin dhe Nezir Beqirin, babë e bir.
I riu, dyshohet se ka kryer të paktën dy vrasje si akt hakmarrjeje ndaj vrasjes së xhaxhait të tij, Sokol Çapja. Pikënisja e këtyre problematikave nisi në vitin 2005. Sokol Çapja mbetet i vrarë mbas një konflikti me ish shefin e qarkullimi rrugor të Elbasanit, Fadil Mema. Por disa muaj më vonë vritet kunati i Memës, Ardian Ibrahimi.
Në vitin 2015 kjo përplasje zhvendoset në Itali, aty ku jetonte dhe punonte Fadil Mema, si gazetashitës. Ai u ekzekutua në Torino.
Një vit më pas, në një ambient ku qëndronin familjar të fisit Çapja dhe miq të tyre ndodhi ajo që njihet si “Masakra e Elbasanit”. Dy persona të armatosur hapën zjarr me breshëri plumbash, duke lënë të vdekur tre persona, mes tyre Agron Çapjan.
Në prill të 2016, ekzekutohet në një hotel në Tiranë, Dritan Sheme, i afërm i Fadil Memës. Kujtojmë se Florenc Çapja, i akuzuar për atentatin ndaj Memës, arriti t’i shpëtonte drejtësisë në vitin 2019, kur gjykata e Elbasanit, vendosi të pushojë çështjen ndaj tij.