Një ditë më parë, Ardian Çapja u kap nga Policia e Elbasanit, pas një urdhër ndalimi të lëshuar nga Prokuroria e Elbasanit. 53-vjeçari është arrestuar pasi dyshohet se në bashkëpunim me disa persona të tjerë, kanë vrarë me armë zjarri në vitin 2012 Gentian Beqirin dhe Nezir Beqirin, babë e bir. Në kërkim është shpallur Florenc Çapja, 40 vjeç. Edhe ky i fundit dyshohet se ka marrë pjesë në ngjarjen kriminale të vitit 2012. Gazetari Artan Hoxha ka zbuluar disa të pathëna në studion e “ABC”, se urdhri për arrestimin e Ardian dhe Florenc Çapjas është firmosur që më datë 16 mars. Ai tha se në atë ditë Florenc Çapja bashkë me të shoqen janë larguar drejt Stambollit, dhe mendohet se tani mund të jenë në Dubai.
“Zona ku ndodhet banesa e Ardian Çapjas, ku janë të vendosur pjesëtarët e familjes së tij është Krasta, dhe për këtë shkak i është vendosur ky emër operacionit. Besoj që këtë radhë, më në fund. Ka pasur këmbëngulje që prokurori që kishte çështjen të vepronte. Me datën 16 mars, janë dhënë urdhrat e arrestit. Kërkesat janë çuar 10-15 minuta para mbylljes së orarit zyrtar.
Urdhri është firmosur po atë ditë. Një nga personat që duhet të arrestohej bashkë me të shoqen. Atë ditë në datë 16 i kanë hipur avionit të Rinasit, dhe janë larguar drejt Stambollit. Dyshimet janë se ata mund të jenë larguar drejt Dubait. Në datën 16, një nga personat është larguar në orën 7 të mëngjesit. Prandaj është vonuar dhënia e vendimit, duke pritur që ata persona të ktheheshin në Shqipëri pa pasur dijeni për zhvillimin e operacionit”, u shpreh ai.
Ai tha se kjo ka sjellë vonesë në ekzekutimin e vendimit për arrestimin e Ardian Çapjas, duke qenë se autoritetet kanë pritur që nipi i tij të rikthehej në Shqipëri me shpresën se operacioni nuk është dekonspiruar. Florenc Çapja ka ikur me avionin e mëngjesit nga Tirana në drejtim të Stambollit, dhe më pas dyshohet të ketë vajtur në Dubai. E sa i takon Ardian Çapjes, gazetari Artan Hoxha ka thënë se edhe po të lajmërohej, ai nuk do mundte të ikte dot nga banesa, pasi ka probleme me shëndetin.
“Florenc Çapja ka ikur me avionin e mëngjesit nga Tirana në drejtim të Stambollit, dhe më pas dyshohet të ketë vajtur në Dubai. Policia është vënë në lëvizje për ta kapur kur të kthehet, dhe nuk është kthyer. Më pas policia është vënë në lëvizje dhe kanë arrestuar Ardian Çapjan. Ardian Çapja edhe po të lajmërohej nuk do ikte nga banesa. Ai ka probleme me shëndetin. Kur e ka marrë policia ka kërkuar të njëjtën gjë. Ka kërkuar ndihmë mjekësore. Nuk është dërguar në spital, por janë sjellë mjekët në qelitë e paraburgimit të Elbasanit. I është dhënë ndihmë mjekësore aty. Aktualisht është nën masën e sigurisë së “arrestit me burg”, shtoi Hoxha.
Ardian Çapja u arrestua për shkak se në dritë kanë dalë prova të reja nga kjo vrasje. Po ashtu ka pasur edhe dy persona, të penduar të drejtësisë që kanë folur lidhur me ngjarjen, që implikon Çapjat. Mëngjesin e 15 gushtit të vitit 2012, disa persona shkuan pranë apartamentit ku jetonin babë e bir, e cila ruhej nga dy policë për shkak se Gentiani ishte në “arrest shtëpie”, i dyshuar si autor i vrasjes së Sokol Çapjas në vitin 2005. Autorët hynë brenda me pretendimin se ishin miq të familjes, por sapo hyn shkuan dhe ekzekutuan Gentianin në krevatin ku ai qëndronte i paralizuar. Më pas, babin e tij, Neziri, e godasin me sende të forta dhe me thikë, duke e lënë edhe atë të vdekur. Vrasësit u larguan të pashqetësuar për të mos u kapur, megjithëse vazhdimisht përmendej se vrasja e Gentian Beqirit ishte zinxhir i një seri vrasjesh në Elbasan.
Zanafilla nisi në vitin 2005, pas përplasjes së ish shefit të qarkullimi rrugor të Elbasanit, Fadil Mema dhe Sokol Çapjas, ky i fundit mbeti i vrarë. Disa muaj më pas, në maj të 2006, vritet kunati i Memës, Ardian Ibrahimi.
Ngjarja tjetër e rëndë, do të ishte ajo e vrasjes së babë e bir, në 2012. Por 3 vite më pas, përplasjet zhvendosen në Itali, aty ku jetonte dhe punonte Fadil Mema, si gazetashitës. Ai u ekzekutua në Torino në vitin 2015.
Një vit më pas, në një ambient ku qëndronin familjar të fisit Çapja dhe miq të tyre ndodhi ajo që njihet si “Masakra e Elbasanit”. Dy persona të armatosur hapën zjarr me breshëri plumbash, duke lënë të vdekur tre persona, mes tyre Agron Çapjan. Në prill të 2016, ekzekutohet në një hotel në Tiranë, Dritan Sheme, i afërm i Fadil Memës. Kujtojmë se Florenc Çapja, i akuzuar për atentatin ndaj Memës, arriti t’i shpëtonte drejtësisë në vitin 2019, kur gjykata e Elbasanit, vendosi të pushojë çështjen ndaj tij.