Deputetja e PD Flutura Açka, në mbledhjen e grupit parlamentar të PD të thirrur nga kryetari i komanduar Enkelejd Alibeaj, ku po diskutohet në lidhje me zgjedhjet vendore të 14 majit dhe mënyrën se si kjo parti do të garojë, pra me kandidatë për kryetarë bashkie apo vetëm me kandidatë për këshillat bashkiakë, duket se mendon se duhet t’i jepet një shans kandidatëve të Rithemelimit.
Açka ka deklaruar se shumë prej atyre kandidatëve ndjehen të zënë në kurth, ndërsa ka akuzuar ish-kryeministrin Sali Berisha se ka qenë ai që ka ndau demokratët.
Ajo u shpreh se “qoftë edhe duke marrë përsipër barrën e të mundurve, duhet ruajtur PD nga mbrapshtia”.
“Unë do te trishtohesha t’i shihja të theren demokratët me të cilët kam punuar dhe që i ndau Berisha, por do të respektoj vendimet që do të merren, edhe sikur të kem bindje tjetër, pasi demokratët janë më të rëndësishëm.
Kështu ndihmojmë edhe kandidatet e Rithemelimit, të cilët nuk dalin dot nga rrethi vicioz ku kanë hyrë, pasi zemra dhe dinjiteti i tyre është PD, por fati dhe bindja, fetishi a kushedi çfarë arsye nuk i lë të dalin nga rreshtorja për të mbrojtur partinë e tyre.
Unë kam folur me shume prej tyre dhe ia shoh plagën që kanë, por janë në kurth, një kurth i shëmtuar politik, ku në fakt ka hyrë çdo demokrat.
Ne, qoftë edhe duke marrë barrën e “të pamundurve” duhet ta ruajmë PD nga mbrapshtia dhe skizma që po gatuhet prej muajsh. Nuk është paaftësi por qëndrim i pastër politik në mbrojtje te PD-së, të Opozitës dhe të mos i japim regjimit skenarin e fitores me sytë e mbyllur prej skizmë sonë, në të cilën regjimi ka pjesën e vet të kontributit malinj. Por nuk ka turp më të madh politik s’e të çosh të djathtët, të kandidojnë majtas, militantet e djathtë të duartrokasin të majtën dhe votuesit e djathtë të votojnë majtas dhe vjen pikërisht nga një pjesë e themeluesve të së djathtës.
Kjo ore politike që sheh emocionin personal politik më të rëndësishëm se emocioni politik i grupit ku je, dhe përgjegjësia që të ka deleguar ai me besim, me fanatizëm, me dashuri dhe përulje. Abuzimi me ketë është i dënueshëm politikisht dhe historikisht. Pazëlli i sotëm politik i PD-së më jep trishtim të madh, por nuk kam forcë përveç thirrjeve të vazhdueshme që kam bërë dhe vendosmërisë që t’i them gjërat hapur dhe drejt, me atë që besoj unë se është e drejta”, ka deklaruar ajo.