Partia Demokratike ka reaguar në lidhje me raportin e FMN-së, i cili është shprehur kritik ndaj Drejtorisë së Tatimeve në lidhje me aftësitë e stafit si dhe me shpërndarjen në mënyrë të gabuar e burimeve njerëzore.
Anëtarja e Kryesisë së PD, Mimoza Hajdarmataj tha se ndërrimi i drejtorëve e pengon reformimin e institucionit dhe të politikave fiskale.
Sakaq shtoi se kjo tregon një luftë klanesh në Partinë Socialiste për pasurim dhe pushtet.
“Në dy raporte të majit, por të publikuara së fundmi, FMN liston një sërë problematikash, duke filluar nga paaftësia e stafit dhe shpërndarja në mënyrë të gabuar e burimeve njerëzore. Një ndër pikat ku Fondi është thellësisht kritik ka të bëjë me ndërrimin e shpeshtë të drejtuesve. Partia Demokratike, duke falënderuar FMN për punë serioze dhe ndihmën, dëshiron të ndalet në këtë pikë.
Arsyeja e ndërrimit të shpeshtë të drejtorëve të Tatimeve është korruptive. Lidhet me faktin se vende të tilla shihen si mundësi pasurimi të shpejtë. Klanet në Partinë Socialiste luftojnë me njëri-tjetrin për të çuar të besuarit e tyre në krye të Tatimeve. Gjithashtu ky ndërrim kokash në krye të Tatimeve, dekonspiron si të pavërtetë pretendimin e Edi Ramës se ka kryer reforma në Tatime. Siç e thekson edhe FMN, ndërrimi i drejtorëve e pengon reformimin e institucionit dhe të politikave fiskale. FMN ka gjetur në këtë raport edhe një fakt tjetër. Mbajtjen bosh të mbi 200 vendeve të punës, në një institucion që ka gjithsej 1200 vetë në organikë. Tatimeve u mungojnë edhe analistët e të dhënave, vëren Fondi Monetar dhe për këtë duhet “të bashkëpunojnë me botën akademike” për t’u trajnuar”, tha ajo.