Detaje të reja janë mësuar lidhur me aksionin e zhvilluar nga grupi i Forcave të Ndërhyjes së Shpejtë, për të kontrolluar banesën e Artan Gjinajt gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm.
Ngjarja ka ndodhur në fshatin Dajç të Lezhës, ndërsa kryefamiljari thotë se nuk ndodhej në banesë, pasi punon në Malin e Zi por, brenda duket se ishin dy fëmijët e tij të mitur dhe bashkëshortja.
Për shkak të mënyrës së kontrollit, familja Gjinaj ka ngritur dyshime se mund të mos ishte Policia. BW raporton se nga policia e Lezhës i është konfirmuar se para ndërhyrjes, salla operative është njoftuar nga Policia e Shkodrës për këtë aksion. Sipas të dhënave të deritanishme, shkak për kontrollin janë bërë dyshimet se në banesën e familjes Gjinajt, fshihej një person i shpallur në kërkim, i cili është i afërmi i familjes Gjinaj. Megjithatë ende nuk dihet se për kë bëhet fjalë.