Ish-kryeministri Sali Berisha, deklaroi me tone të ashpra nga ‘Foltorja’ e Kurbinit se fundi i Edi Ramës është shumë afër. Berisha theksoi se Rama mori mandatin e tretë përmes patronazhistëve dhe ishte Basha që ja firmosi fitoren, duke menduar vetëm për karrigen e tij.
Berisha tha se ‘Foltorja’ është një nismë për rithemelimin e Partisë Demokratike, ndërsa tha se paralajmërimin që i ka bërë Fatos Nanos, po ja bën edhe Edi Ramës, duke shtuar se fundin e ka afër dhe mjerë ai çfarë do heqë. Sakaq, ish-lideri historik i PD i bëri thirrje Ramës të bëjë gati valixhet dhe të niset drejt Beogradit së bashku me ‘Lul pengun’, duke iu referuar kryedemokratit Lulzim Basha.
“Rama mori mandatin e tretë duke nxjerrë të dhënat e shqiptarëve në sistemin e patronazhimit. Rama përdori kriminelë, por ‘peng’ Basha i cili u zotua të mbrojë votën, nuk e mbrojti atë në 2017, në zgjedhjet e Peshkopisë, i dha fiitoren pa marrë pjesë në garë në zgjedhejt lokale. Në 2021 ai u dorëzua, firmosi fitoren e Ramës dhe u mor me karrigen e tij. Këto dëshmojnë se situata në vend është kritike, por është kjo situatë e cila gjëmoi si një thirrje e brendshme në ndërgjegjen tonë, të bashkohemi në një lëvizje të fuqishme për rithemelimin e Partisë Demokratike, për shtrimin e saj në opozitën më të fuqishme që ka njohur Shqipëria. Edvin, fundin e ke të afërt, mjer ti ç’do heqësh. Paralajmërimin që i bëra Fatos Nanos, po ta bëj dhe ty në këtë sallë, fatin e tij do pësosh nga gratë dhe burrat e Kurbinit. Bëj gati valixhet dhe nisu në Beograd, mos harro dhe Lul Pengun.”-tha Berisha.
Në këtë foltore, Berisha duke përkujtuar 51 viktimat e tërmetit tragjik të 26 nëntori 2019, tha se ishte një krim shtetëror, pasi qeveria i la në mëshirë të fatit banorët e Thumanës pas tërmetit të shtatorit, ku banesat e tyre u dëmtuan, dhe një tërmet më i fortë (26 nëntor) i shkatërroi ato duke ju marrë jetën.
“Viktimat në Thumanë, ishin një krim shtetëror pasi pallatet u bënë të pabanueshme në tërmetin e shtatorit, por një qeveri e papërgjegjshme, që është vite dritë larg qytetarëve, ka si objekt kryesor plaçkitjen e çdo gjëje të qytetarëve. Ndonëse konstatoi se pallatet ishin të pabanueshme, i la banorët e tyre në mëshirë të fatit për tu marrë jetën një tërmet tjetër. Sot për 51 viktima, për shembjen e qindra ndërtimeve jashtë standardeve, para ligjit nuk ndodhet asnjë zyrtar, asnjë qeveritar, dhe kjo është krimi i dytë, i shëmtuar pas braktisjes së tyre. Sot, pas dy vitesh, shumica e banorëve janë pa strehim, të tjerë në Milot janë në çadra. Uroj që paratë e ndërtimeve, në apartamente dhe pallatet e ndërtuara të mos pësojnë fatin e fondeve për ndërtimin e Spitalit Memorial, apo xhamisë në Tiranë, që duket se janë bërë abuzime të mëdha.” – tha Berisha.
/Priza.al/