Vodafone Albania ka marrë masa të menjëhershme për t’iu përgjigjur situatës emergjente që u krijua nga dalja jashtë kontrollit e zjarreve në Shqipëri.
Fondacioni Vodafone Albania dhe Vodafone Foundation Humanitarian Fund kanë vendosur të mbështesin Agjencinë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, duke dhuruar materiale dhe pajisje në vlerën e 24,000 eurove, që do të shërbejnë në luftën kundër zjarreve.
Drejtoresha e Përgjithshme e Vodafone Albania, znj. Katia Stathaki, vizitoi personalisht disa nga zonat e prekura nga zjarret përgjatë bregdetit, në jug. Në ndalesën e saj në Pashaliman, znj. Stathaki u prit nga prefekti i Vlorës, z. Flamur Mamaj, shefi i shtabit të Forcave Detare, z. Sabri Gjonollari, drejtori i përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, z. Zamir Dedej, si dhe përfaqësuesi i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, z. Robert Hysenllari.
Në ceremoninë e organizuar në Qendrën e Vizitorëve në Parkun Kombëtar Llogora, znj. Stathaki theksoi se është shumë e rëndësishme që kompanitë të veprojnë, t’i ndërgjegjësojnë dhe informojnë njerëzit. Kjo është edhe arsyeja përse Vodafone Foundation, në bashkëpunim me Vodafone Foundation Albania, u treguan menjëherë të gatshëm për të ofruar ndihmën e tyre, pas emergjencës së zjarreve në Shqipëri, duke ndihmuar në mbrojtjen e pyjeve.
“Zjarret na kujtuan edhe njëherë se sa i rëndësishëm është mjedisi dhe mënyra se si sillemi me të. Në Vodafone, ne jemi të ndërgjegjshëm e të ndjeshëm ndaj ndikimit tonë në mjedis. Fondacioni Vodafone, ai i grupit dhe i Shqipërisë, kanë vendosur të mbështesin Agjencinë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, duke dhuruar materiale e pajisje në vlerën e 24,000 eurove, që do të shërbejnë në luftën kundër zjarreve. Stafi i Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura dhe ushtria janë në vijën e parë të frontit në këtë luftë. Pavarësisht përkushtimit të tyre për të reaguar në situata të tilla, është e vështirë që gjendja të menaxhohet pa pajisjet, materialet dhe përgatitjen e duhur, ndaj ndjemë se ishte detyrë qytetare të jepnim mbështetjen tonë në këtë luftë.”- tha znj. Stathaki.
Drejtoresha e Vodafone Albania shtoi më pas se Vodafone Foundation ka qenë gjithmonë i angazhuar që të mbështesë komunitetet, duke kontribuar në 14 vite mbi 12 milionë euro për komunitetet në Shqipëri. “Është momenti të reagojmë seriozisht ndaj problemeve që kanë lidhje me ndryshimet klimatike. Rrjeti dhe teknologjia dixhitale luajnë një rol kyç në zgjidhjen e problemeve të shkaktuara nga ndryshimet klimatike. Gjithashtu, ne në Vodafone jemi angazhuar për t’i bërë aktivitetet tona sa më ekologjike. Në vitin 2021 bëmë të mundur që energjia që përdorim për aktivitetet tona të jetë energji e pastër, e rinovueshme. Gjithashtu, synimi ynë është të kemi 0 emetime të karbonit deri në 2025-ën. Do të jetë një sfidë, por jemi të vetëdijshëm se suksesi në biznes nuk duhet të arrihet në kurriz të mjedisit. Jam e sigurtë se edhe kontributi më i vogël për mjedisin do të shpërblehet me një cilësi më të mirë të jetës sonë.”
Në fjalën e tij, prefekti i qarkut Vlorë z. Flamur Mamaj, falenderoi Vodafone Albania për sensibilizimin e menjëhershëm për situatën emergjente, duke e konsideruar mbështetjen e dhënë si një shembull motivues për bashkëpunime të mëtejshmë në të mirë të komunitetit.
Fondi Humanitar i Vodafone Foundation mbështet organizatat jo-fitimprurëse (OJF) dhe agjencitë ndihmëse në raste katastrofash natyrore në zonat ku Vodafone operon. Përmes këtij fondi të kompanive të Vodafone Group në Europë dhe Afrikë ofrohet mbështetje financiare për punonjësit e ndihmës së shpejtë dhe ata që preken nga fatkeqësitë natyrore. Në vitin 2020, në përgjigje ndaj COVID-19, Vodafone Group Foundation dhe fondacionet lokale të Vodafone u kanë dhënë më shumë se 10 milion euro donacione në kesh dhe materiale punonjësve të sektorit të shëndetësisë dhe agjencive të tjera. Në mars të vitit 2021, Vodafone Foundation dhe Vodacom Foundation dhuruan 5 milion euro për vaksinat në Afrikë.
Vodafone Albania reagoi që në ditët e para të emergjencës së zjarreve në Shqipëri, për të mbështetur me komunikim heronjtë në vijën e parë të këtij misioni, si edhe banorët e zonave të prekura. Të gjithë zjarrfikësit dhe banorët e zonave të prekura nga zjarret, që ishin klientë Vodafone, përfituan një paketë komunikimi falas me qëllim që të jenë gjithnjë të lidhur dhe komunikimi të mos u mungojë në këto ditë të vështira.
Vodafone po vazhdon të monitorojë situatën dhe është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet, me qëllimin kryesor për të ofruar mbështetje dhe ndihmë në këtë situatë emergjence. Together we can!
/Priza.al/