FIFA ka miratuar Raportin Vjetor të vitit 2022, i cili tregon se të ardhurat do të rriten për vitet në vazhdim. Nga 7.6 miliardë dollarë që kanë qenë gjatë ciklit 2019-2022, të ardhurat do të shkojnë në 11 miliardë dollarë gjatë periudhës 2023- 2026, duke u rritur me 29%. Kjo përkthehet në më shumë para për federatat anëtare, ku këtu përfiton edhe Shqipëria, më konkretisht Federata Shqiptare e Futbollit.
Në lidhje me këtë rritje ka folur edhe presidenti Xhani Infantino: “Investimi i paprecedentë i FIFA-s në futboll është rezultat i transparencës sonë solide financiare dhe qëndron si një shembull konkret se si ne po synojmë ta bëjmë futbollin vërtetë global”
Kështu duke nisur nga ky viti, të ardhurat e FSHF-së nga FIFA do të rriten me 2 milionë dollarë, duke shkuar në një total prej tetë milionë dollarësh për katër vitet e ardhshme, nga gjashtë milionë dollarë që ka qenë për 4 vitet e kaluara.
RRITJA ME 2 MILIONË Gjatë ciklit 2019-2022, “FIFA Forward” i siguroi çdo federate investim prej 6 milionë USD për financimin e nevojave operacionale dhe projekteve zhvillimore.
Për sa i përket ndarjes së kësaj shifre, çdo federatë kishte akses në 1 milion USD në vit për të mbuluar kostot operacionale dhe funksionale dhe gjithashtu kishte të drejtë për 2 milionë USD gjatë ciklit, me prioritet të vendosur në projektet e lidhura me infrastrukturën e futbollit, të tilla si fusha, qendra teknike, terrene stërvitore, stadiume dhe seli.
Projekte të tilla duhej të përshtateshin me objektivat e pranuara nga federata. Në kongresin e 72-të të FIFA-s, presidenti Infantino njoftoi një rritje prej 29% të financimit të “FIFA Forward 3.0”, i cili do të nisë në vitin 2023.
Si rezultat, çdo federatë do të marrë rreth 8 milionë USD në një periudhë katërvjeçare, që paraqet një rritje e shtatëfishtë e shumës së shpërndarë para vitit 2016.
Të ardhurat e FIFA-s për këtë periudhë parashikohen se do të rriten me 29 për qind, duke kapur shifra rekord të ardhurash./PanoramaSport