Mbiçmimi i ndjeshëm i lekut ndaj euros në gjysmën e parë të këtij viti ka tkurrur vlerën e bilancit të sektorit bankar të shprehur në monedhën vendase.
Një analizë e Bankës së Shqipërisë tregon se efekti statistikor i kursit të këmbimit në kundërvlerën në lekë të zërave kryesorë të bilancit valutor ishte negativ gjatë gjysmës së parë të vitit, pikërisht si pasojë e mbiçmimit të monedhës vendase, dhe ky efekt është thelluar në krahasim me fundin e vitit 2021.
Kështu, mbiçmimi i lekut gjatë tremujorit të dytë të vitit 2022, ka bërë që efekti statistikor i kursit të këmbimit në vlerën e raportuar të bilancit valutor të sektorit bankar të ishte negativ në vlerën e 11 miliardë lekëve. Në anën e aktivit, forcimi i monedhës vendase ka pasur ndikim më të madh në zërat kryesorë të bilancit si veprimet me thesarin dhe ndërbankare, me efekt negativ prej katër miliardë lekësh dhe tek veprimet me klientët (kreditë), me një efekt negativ prej pesë miliardë lekësh.
Ndërkohë, në krahun e detyrimeve, pothuajse i gjithë efekti statistikor i kursit të këmbimit është reflektuar në kundërvlerën në lekë të depozitave në valutë, me 12 miliardë lekë më pak. Sipas Bankës së Shqipërisë, aktivet e sektorit bankar u zgjeruan me rreth 2% gjatë periudhës dhe me 10% në krahasim me një vit më parë. Vlera e raportuar e aktiveve u rrit me 32 miliardë lekë gjatë periudhës, duke arritur në rreth 1.8 trilionë lekë në fund të periudhës. Në mungesë të efektit të kursit të këmbimit, rritja do të kishte afërsisht 43 miliardë lekë.
Në fund të muajit qershor, euro këmbehej me 119.3 lekë, në rënie me afërsisht 1.4% në raport me fundin e vitit të kaluar. Por, mbiçmimi i lekut mori përmasa edhe më të mëdha në tremujorin e tretë. Në fund të shtatorit, euro këmbehej me 116.6 lekë, në rënie me 3.4% që nga fillimi i vitit. Kjo nënkupton se efekti statistikor i kursit të këmbimit në bilancet e sektorit bankar pritet të jetë edhe më i madh gjatë tremujorit të tretë të vitit.
Niveli i lartë i valutizimit dhe sidomos i euroizimit e bën sektorin bankar veçanërisht të ekspozuar ndaj luhatjeve të kursit të këmbimit.
Euroizimi i depozitave të sektorit bankar u thellua më tej në gjysmën e parë të këtij viti. Në analizën periodike të treguesve që monitorohen në kuadrin e strategjisë së deeuorozimit, Banka e Shqipërisë vlerëson se depozitat në valutë arritën në 53.2% të totalit të depozitave të klientëve, rreth 1.4 pikë përqindje më lart se fundi i gjashtëmujorit të kaluar dhe 2.3 pikë përqindje më lart se një vit më parë.
Në mesin e këtij viti, depozitat në valutë janë rritur me 4.7% krahasuar me gjashtëmujorin e kaluar dhe 13.8% krahasuar me një vit më parë. Ndërsa totali i depozitave (emëruesi i raportit) ka treguar rritje me 1.9% krahasuar me fundin e gjashtëmujorit të kaluar dhe 8.9% krahasuar me një vit më parë. Gjatë gjysmës së parë të këtij viti, treguesi i peshës së depozitave në valutë ka pësuar rënie vetëm për një prej bankave të sistemit, ndërkohë që ka njohur rritje për pjesën më të madhe të tyre, duke ndikuar në rritjen e peshës së depozitave në valutë.
Një tendencë në rritje gjatë 6-mujorit të parë të këtij viti ka shënuar edhe kredia në valutë. Sipas Bankës së Shqipërisë, kreditë në valutë shënuan nivelin 51.2% të tepricës së kredive, ose 0.1 pikë përqindje më shumë se fundi i dhjetorit 2021 dhe 1.4 pikë përqindje më shumë se një vit më parë./Monitor