‘Ford’ ikën nga India, mbyll dy fabrika pas 25 vitesh/ Nuk do të prodhojë më makina sepse…  

Kompania amerikane “Ford”, do të ndalojë prodhimin e makinave në Indi dhe do të mbyllë të dyja fabrikat që ka në këtë shtet.

“Ford” ka thënë se, do të mbyllë fabrikat në rajonet Gujarat dhe Tamil Nadu, në çerekun e dytë të vitit 2022, mirëpo do të vazhdojë të krijojë motorë makinash për eksport.

Kjo njëherësh është kompania e fundit e madhe që largohet nga India në vitet e fundit.

Më 2017, kompania “General Motors” ndaloi së prodhuari makina për tregun indian. Vitin e kaluar, edhe kompania tjetër, “Harley-Davidson”, veproi po njësoj.

Këto largime kanë qenë në kundërshtim me përpjekjet e kryeministrit indian, Narendra Modi, për të nxitur shkuarjen e prodhuesve të huaj atje.

“Ford” ka pësuar humbje operative prej më shumë se dy miliardë dollarësh në dekadën e fundit në Indi dhe kërkesa për makina të reja është dobësuar, ka thënë kompania.

Kjo kompani ka prodhuar makina në Indi për 25 vjet, mirëpo ka pasur vështirësi në konkurrencë.

Sipas raportimeve, “Ford” ka zotëruar më pak se 2% të tregut të makinave të pasagjerëve dhe kompania është renditur e nënta në Indi, sa u përket prodhuesve më të mëdhenj të makinave.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *