Në tetor të vitit 2021 dy prindër të rinj nga Tirana, u lumturuan kur në jetë, erdhi fëmija i tyre i parë, një djalë. Pasi kaloi tre ditë në reanimacionin e maternitetit Mbretëresha Geraldinë, i porsalinduri kaloi në shtëpi. Por pas pak javësh, për të, do të niste një kalvar i gjatë problemesh shëndetësore. Në distanca të shkurtra kohore, foshnja do të shtrohej disa herë në reanimacionin e Pediatrisë në Qendrën spitalore Nënë Tereza, derisa në fillim të marsit 2022, kryhet testi HIV dhe ai rezultoi pozitiv.
Muajt që pasuan do të ishin një betejë e fortë e prindërve, mes tronditjes së madhe nga sëmundja e djalit të tyre të vogël, gjendjes së tij shëndetësore dhe paqartësive mbi burimin e infektimit. Ata vetë iu nënshtruan testit disa herë dhe rezultuan negativë, duke përjashtuar pistën që të ishin ata shkaku. Po ashtu ra dhe pista e transmetimit përmes gjakut, pasi fëmija nuk i kishte kryer transfuzion.
Ecejaket në dyert e institucioneve shëndetësore do të jenë të shumta. Institui i Shëndetit publik përfundoi në fillim të muajit korrik një hetim mbi rastin. Raporti thotë se hetimi ka nisur në muajin prill, po nuk specifikon asnjë datë apo urdhër të lëshuar për këtë qëllim, sikundër bën më pas, kur shpjegon se më 10 qershor me urdhër të Drejtorit të Institutit është ngritur një grup pune për një hetim më të thelluar. Në të përfshihet ndër të tjera dhe testimi i personelit që i ka shërbyer fëmijës, ku të gjithë rezultojnë negativë, apo dhe hulumtimi i kartelave mjekësore të shtrimeve të fëmijës. Kështu në kartelën e shtrimit në datat 2 deri 15 mars, shënohet se testi HIV rezultoi pozitiv dhe për pasojë nisi dhe mjekimi me antiretroviralë, por në diagnozë pasqyrohet si “rast i dyshuar me HIV”.
Raporti del në përfundimin se nga hetimi nuk rezultonte të ketë patur mangësi në respektimin e protokolleve apo dhe procedurave standarte të manipulimeve, injeksioneve, perfuzioneve dhe terapisë medikamentoze.
Por në një intervistë për Zërin e Amerikës, babai djalit shprehet dyshues ndaj këtij hetimi: “Ku janë analizat që mua të më vërtetojnë se është kryer ky lloj hetimi? Nuk kam marrë absolutisht asnjë dokument referues që janë kryer këto analiza. Si mund ta besoj, kur unë nuk kam asnjë dokument mbështetës, që mua të më vërtetojë se është kryer një punë cilësore nga ana e Institutit të Shëndetit Publik. Përtej kësaj, thuhet se është marrë analizë nga shtrati spitalor ku ka qenë shtruar djali im gjatë periudhës nëntor-dhjetor 2021. Në janar ai repart është mbyllur, sepse ka kaluar te godina e re. Ku është kryer kjo analizë?”
Të bindur se djali i tyre ishte infektuar në strukturat shtetërore të spitale, prindërit më 27 qershor paraqitën një kallëzim penal në prokurorinë e Tiranës, duke bërë përgjegjës maternitetin Mbretëresha Geraldinë dhe Spitalin pediatrik për “neglizhencë dhe shpërdorim detyre”, ISHP-në për “zvarritje të informacionit dhe moskryerjen në kohë të hetimit”, si dhe Ministrinë e Shëndetësisë për “shkelje të rënda dhe dëmtim pacienti nga personeli shëndetësor”.
Por në Prokurori ata do të pësojnë një tjetër goditje. Në më pak se tre javë nga kallzimi i tyre, prokurori Saimir Hysa vendos mosfillimin e hetimit, pasi sipas tij “mungojnë provat apo indiciet e nevojshme për të krijuar dyshimin e arsyeshëm” për ekzistencën e një vepre penale. Ajo që bën habi është fakti se prokurori shkruan se prindërit pretendojnë se “është dëmtuar jeta e një foshnje të palindur ende”, ndërsa më pas shprehet se “fakti që ai është infektuar gjatë kohës së qëndrimit në spital apo apo ambjente të tjera të shëndetit publik nuk përbën domosdoshmërisht vepër penale”.
Pas ankimit të prindërve, çështja përfundon në Gjykatën e Tiranës e cila rrëzon pretendimet e prokurorisë, duke përcaktuar dhe detyrat që duhen kryer. Prokurori Hysa nuk tërhiqet por e çon çështjen në Apel me pretendimin se “detyrat e lëna nga Gjykata nuk do të sillnin asnjë të re sa i takon akteve të parashtruara në kallzim, pasi vendimi ynë nuk lidhet me ekzistencën ose jo të tyre, por me interpretimin ligjor që atyre ju bëhet”.
Ndërkohë që sipas prindërve, prokuroria në të vërtetë nuk ka lëvizur as gishtin. Edhe në ankimin e tyre ato shprehen se prokurori nuk ka marrë asnjë provë nëse janë respektuar ose jo protokollet, madje nuk i ka thirrur as ata për t’i pyetur.
Gjykata e Apelit, po ashtu u shpreh kundër prokurorit, duke theksuar se “nuk mund të vendosë mosfillimin e procedimit penal, me pretendime që nuk kanë mjaftueshmërisht një bazë ligjore”. Sipas Apelit, kur Gjykata lë disa detyra, organi i akuzës, për t’i kundërshtuar ato “duhet të pretendojë pamundësinë reale të marrjes së provave dhe nuk legjitimohet për të pretenduar nevojshmërinë apo jo të marrjes së këtyre provave”. Madje Apeli vë në dukje se, në këtë rast bëhet fjalë për prova “karakteristike dhe klasike”, duke shtuar se “organi i akuzës është i detyruar, me qëllim hetimin e plotë e të paanshëm të procedimit, të përmbushë detyrat e lëna nga gjykata, duke mos u kufizuar në to”.
Vendimi i Apelit është i formës së prerë, dhe detyrimisht i zbatueshëm për prokurorinë. Ai është marrë që në fillim të vitit, por u zbardh vetëm pak ditë më parë. Prindërit e djalit të infektuar me HIV, të cilët janë transferuar në Itali për t’i ofruar përkujdesje shëndetësore fëmijës së tyre, shprehen se tani presin “një hetim të plotë e të gjithasnshëm dhe zbardhjen e shkaqeve dhe si ka ndodhur infektimi i djalit tonë, sepse është e drejta jonë legjitime, si takspagues të këtij vendi, në momentin që marrim një dëmtim spitalor, duam të dimë të vërtetën”
Babai i djalit thotë se ai nuk kërkon asgjë më shumë se sa drejtësi: “Nuk mund të na ndryshojnë jetën në 360 gradë dhe askush të mos mbajë përgjegjësi. Jeta jonë ka ndryshuar në 360 gradë. Jemi detyruar të braktisim shtëpinë, punën, familjarët tanë vetëm e vetëm nga një problem shëndetësor të shkaktuar nga vetë sistemi. Ndaj kërkojmë drejtësi dhe vetëm drejtësi, që nesër kjo gjë të mos ndodhi më, sepse sot na ndodhi ne, nesër mund t’i ndodhë kujtdo. Nëse kjo nuk frenohet do vazhdojë me vite e askush nuk do të mbajë përgjegjësi”.
Ata kanë kërkuar nga Prokuroria e Tiranës që çështja të mos mbetet më në dorën e prokurorit Hysa. Burime zyrtare nga Prokuroria i shpjeguan Zërit të Amerikës, se vendimi i zbardhur i Apelit nuk u ka mbëritur ende, dhe se në momentin që do ta kenë në dorë do të shqyrtohet dhe kërkesa e prindërve./VOA