Intervista/Administratori i Zall-Herrit bën bilancin në prag të zgjedhjeve: Pse banorët duhet të na votojnë për mandatin e tretë

A doni të vizitoni një vend ndryshe në Tiranë? Të shihni një pamje magjike? Të ndjeni aromën e çdo stine? Ajo gjendet jo shumë larg kryeqendrës. Vetëm 15 km. Është Zall-Herri. Zona në dukje e harruar, pasi jo shpesh flitet për të siç flitet për zonat e tjera, por natyra e ka mbajtur me shumë hatër.

Për të njohur më nga afër se çfarë vërtet ofron kjo zonë, “Priza.al” ka kontaktuar administratorin e kësaj njësie. Quhet Arben Maloku dhe drejton këtë njësi prej disa vitesh.

Ai tregon se cilat janë pikat kryesore që e bëjnë zonën që ai ka nën administrim, ndër më të lakmuarat nga turistët vendas dhe të huaj, ndërkohë flet edhe për premtimet që Partia Socialiste ka në këtë fushatë. Po ashtu ai vë theksin edhe në dëshirat e tij që pret t`i realizohen për Zall-Herrin, duke vënë theksin në rrugë, shkolla dhe bujqësi.

Prej disa javësh ka nisur fushata elektorale për zgjedhjet e 25 prillit, me çfarë alternative i prezantoheni banorëve të Zall-Herrit?

Qëllimi ynë është të gjendemi sa më pranë banorëve, për t`i ndihmuar me problematikat me të cilat ato hasin. Parësore shikojmë edukimin, ndaj si alternativë të parë kemi mundësinë e rikonstruktimit të shkollave në të gjitha fshatrat e njësisë, në mënyrë që dijet të përçohen dhe të merren në ambientet përkatëse me të gjitha kushtet optimale. Gjithashtu një drejtim tjetër për ne do të jetë infrastruktura, ku do të jemi të gatshëm të rikonstruktojmë rrugët.

Çfarë ka bërë administrata Veliaj për njësinë administrative të Zall-Herrit, që nuk është bërë nga paraardhësit tuaj?

Z. Veliaj ka bërë rinkonstruktimin në shumë shkolla të Njësisë Administrative Zall-Herr. Ka asfaltuar segmentet rrugore Çerkez-Morinë, Çergezë – Zgafnor, Çerkezë – Kasallë si dhe është në proces rindërtimi ura e fshatit Mëlcizë.

Përse banorët e Zall-Herrit do të votojnë alternativën që i ofron PS-ja dhe jo alternativat e opozitës?

Banorët e Zall-Herrit do të votojnë Partinë Socialiste, pasi kanë besim në programin e saj dhe në ndryshimin që ofron. Ata janë të bindur që PS do të mbajë premtimet që u ka dhënë banorëve dhe do të përmbushin me sukses të gjitha detyrat e tyre.

A mendoni që ka ende punë për të përmbushur misionin tuaj në zonën tuaj?

Jemi të bindur që Partia Socialiste ka ende shumë punë për të bërë në Njësinë tonë. Ende nuk është përmbushur misioni i saj për përfundimin e rindërtimit dhe rikonstruktimit të banesave të dëmtuara nga tërmeti i datës 26.11.2019. Gjithashtu shumë shpejt do të nisë ndërtimi i Lagjes së Re, si dhe ndërtimi i shkollës 9-vjeçare në fshatin Dritas. Do të bëhet edhe shtrimi i ujësjellësit në fshatin Kasall dhe ndërtimi i rrugës në fshatin Qinam.

Cila është pika më e fortë e juaja në këtë fushatë?

Pika jonë më e fortë është besimi dhe ambicia që kemi për të përmbushur qëllimet tona, në mënyrën më të mirë të mundshme.

A mund të na listoni resurset që e bëjnë zonën tuaj një vend të duhur për tu vizituar?

Një nga vendet më të bukura të pasur me resurse natyrore është Liqeni i Bovillës, i cili kohët e fundit ka tërhequr shumë vizitorë të huaj dhe vendas. Liqeni i Bovillës preferohet nga turistët për faktin se përpos pamjes së mahnitshme që ai ofron, ka dhe shumë mundësi për tu argëtuar dhe për të kaluar një ditë të bukur. Një vend tjetër turistik që po preferohet dhe po zhvillohet kohët e fundit është Liqeni i Kallmetit. Gjithashtu Zall-Herri ka një terren shumë të përshtatshëm gjeografik me një reliev kodrinor dhe me florë e faunë të pasur.

Nëse keni mundësinë të takoheni me kryesocialistin Rama, çfarë do t’i kërkonit për Zall-Herrin?

Z. Kryeministër për Zall-Herrin do t`i kërkoja që të ndërtohet një qendër e fshatit ku njerëzit të kenë mundësinë të shëtisin dhe të kalojnë kohën e lirë. Gjithashtu do t`i kërkoja të ndërtohej dhe një park për argëtimin e fëmijëve. Do të doja t`i jepej më përparësi sektorit të bujqësisë, pasi ka numrin më të lartë të të punësuarve. Gjithashtu thelbësore shikoj vendosjen e një linje urbane Zall-Herr-Tiranë, në mënyrë që lëvizja e banorëve të jetë sa më e lehtë dhe efikase.

Po të flisni me elektoratin si përpara një pasqyre, për çfarë do t`i kërkoni falje?

Gjëja kryesore për të cilën dua të kërkoj falje është vonesa për mbajtjen e premtimeve të dhëna.

Ky artikull është ekskluziv i “Priza.al”, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Priza.al” dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *