Presidenti amerikan, Joe Biden, ka arritur të premten në Europë, për të zhvilluar një agjendë të ngjeshur, përfshirë pjesëmarrjen në samitin e 20 vendeve më të industrializuara në botë “G20”, që këtë vit mbahet në Romë.
Pikërisht në aeroportin ushtarak të Romës kanë mbërritur sot që në orët e para të mëngjesit Shërbimi Sekret dhe të gjitha pajisjet që do të përdoren për udhëtimin dhe sigurinë e Biden në kryeqytetin Italian.
Avion ushtarakë transporti, helikopterë me logon presidenciale dhe dhjetëra automjete të blinduara përfshi edhe “bishën”, janë “kavaleria” e rëndë që i kanë paraprirë ardhjes së “Air Force 1”, në Romë.
Ai do të bisedojë me aleatët për programin bërthamor të Iranit dhe do të zhvillojë një sesion të planifikuar me Papa Françeskun në Vatikan. Biden do të marrë pjesë edhe në Samitin e Kombeve të Bashkuara për Klimën, në Glasgou të Skocisë, teksa bota tenton të përballet me efektet e ndryshimeve klimatike dhe ngrohjes globale. Takimi i parë në agjendë është me Papa Françeskun në Vatikan, më 29 tetor.
Biden është katoliku i dytë që është bërë president amerikan, pas John F. Kennedy. Në samitin e G20-ës, Biden pritet të diskutojë ndaras edhe me presidentin francez, Emmanuel Macron.
Këshilltari amerikan për Siguri Kombëtare, Jake Sullivan, ka thënë se takimi do të tentojë të ulë tensionet pas arritjes së marrëveshjes për siguri në mes të Shteteve të Bashkuara, Britanisë dhe Australisë, që ka ndikuar në humbjen e një pakti që ka pasur Franca për nëndetëse ujore.
Zyrtarët amerikanë kanë theksuar se, tema kyçe e një takimi që përfshin Bidenin, Macronin, liderët gjermanë dhe Britaninë, do të jetë statusi i programit bërthamor të Iranit. Sullivan u ka thënë gazetarëve se Biden do të punojë “për një strategji të përbashkët” për Iranin.
Biden po ashtu pritet të takohet edhe me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë Sullivan. Erdogan ka thënë se dëshiron të negociojë një marrëveshje me Uashingtonin për aeroplanët luftarakë F-16, pasi marrëveshja për aeroplanët luftarakë F-35 ka dështuar, për shkak të blerjes së sistemeve raketore ruse nga ana e Ankarasë.
/Burimi: Daily Mail/Përshtati: Priza.al/