Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar nga detyra prokurorin, Ervin Karanxha. KPK gjeti mungesë të burimeve financiare për Prokurorin e Tiranës, pasi ai rezulton se ka një bilanc negativ, domethënë ka shpenzuar më shumë se sa ka fituar ligjërisht.
Seanca e parë dëgjimore në KPK u shty nga prokurori Karanxha për arsye shëndetësore. Ndërkaq në seancën e kaluar, prokurori dhe avokatët e tij kërkuan përjashtimin e gjyqtarit. Trupa gjykuese përbëhej nga Etleda Çiftja, Valbona Sanxhaktari dhe Pamela Qirko. Ndërkohë që sot prokurori me gjithë avokatët janë paraqitur në seancë, për të cilën pretendonin se do të ishte dëgjimore dhe jo për shpalljen e vendimit nga KPK. Kjo gjë ka sjellë debate dhe për këtë arsye avokatët janë nxjerrë jashtë, ndërsa më pas trupa gjykuese ka shpallur vendimin duke e përjashtuar nga sistemi i drejtësisë.
Mungesat financiare
Komisioni konstatoi se prokurori Ervin Karanxha dhe bashkëshortja e tij tashmë e shkarkuar nga KPK, Bernina Kondi nuk kanë pasur mundësi financiare për blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 90.12 m2 në Tiranë, të porositur në vitin 2011 kundrejt çmimit 8.2 milionë lekë.
Relatorja Pamela Qirko tha se në deklaratën ‘veting’, prokurori Karanxha ka pasqyruar si burim krijimi të kësaj pasurie, një kredi në shumën 5 milionë lekë me afat 25 vjet dhe kursime familjare. Ndërsa në vitin 2011 ka deklaruar të ardhurat nga revokimi i një kontrate sipërmarrje dhe kursimet.
Sipas KPK, bashkëshortja e subjektit ka porositur një apartament në Berat për vlerën 6 milionë lekë kur ajo punonte si gjyqtare në atë qytet dhe ka përfituar kredi të butë për mundësimin e strehimit në shumën 5 milionë lekë.
Nga analiza financiare paraprake për periudhën 2003-2016, KPK gjeti pamundësi financiare në vlerën e 3.4 milionë lekëve.
/Priza.al/