Një ditë pasi erdhën me ekuipazhet e tyre në aeroportin e Rinasit, dy “bishat” zjarrfikëse nga Holanda dhe një nga Çekia, janë hedhur në sulm për të fikur vatrat e shumta të zjarreve në Shqipëri.
Mediat shqiptare kanë nisur të japin pamjet e para nga aksionet e helikopterëve të dy shteteve, ku fotot dhe videot janë shpërndarë në rrjetet sociale edhe nga vetë Kryeministri Rama dhe Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi.
Por ndërkohë që ekipet e huaja të zjarrfikëseve ajrore kanë nisur punën, asnjë gjurmë nuk shikohet nga 3 helikopterët tanë që u tha se ishin në aksion. Mos vallë pilotët dhe ekipet shqiptare po pushojnë? Apo janë nisur për në zona të tjera…
Ministria e Mbrojtjes ka bërë me dije se kanë nisur punë edhe helikopterët holandezë dhe çek ditën e sotme në disa sektorë.
Zjarri në Gadishullin e Karaburunit, njësia administrative Orikum, bashkia Vlorë është eliminuar në pjesën më të madhe të vatrave, por është riaktivizuar një vatër intensive në malin e Dukatit, e cila ishte e shuar pak ditë më parë. Sot në mbështetje të forcave tona operacionale është edhe një helikopter i ardhur nga Holanda.
Gjatë natës ka pasur një vatër të re në Gjirin e Gramës, ku gjithashtu po punohet për shuarjen e flakëve me forca të shtuara.
Zjarri pranë pikës kufitare Rips në fshatin Livadhja, bashkia Finiq ka rënë në një terren të vështirë, por po mbahet nën kontroll për të shmangur rrezikun e banesave.
Një zjarr i rënë në fshatin Gjorgos, njësia administrative Cakran, bashkia Fier ka angazhuar forcat operacionale prej orësh, të cilët po punojnë për ta mbajtur nën kontroll. Në mbështetje të tyre ka shkuar edhe helikopteri i ardhur nga Çekia.
Zjarri në Majën e Rrunës, njësia administrative Malzi, bashkia Kukës, aktualisht po mbahet nën kontroll, për të mos e lënë të përhapet në zona të banuara. Për shkak të terrenit të vështirë forcat nuk mund të ndërhyjnë dot në të gjithë zonën.
Zjarri pranë luginës së Valbonës, fshati Klysyrë, njësia administrative Margegaj, bashkia Tropojë nuk ka përhapje dhe aktualisht është tërësisht i kontrollueshëm e me intensitet të ulët.
Zjarri është nën kontroll edhe në fshatin Vermosh, njësia administrative Kelmend, bashkia Malësi e Madhe.
Puna e forcave të emergjencave civile po vijon për të mbajtur nën kontroll flakët edhe në vatrat e hapura në fshatin Thirrë, njësia administrative Fan, bashkia Mirditë si dhe në fshatin Munellë-Domgjon, po në këtë bashki.
/Priza.al/