Mbrëmjen e djeshme u mbajt ceremonia më e madhe muzikore e vitit. Edhe këtë vit ‘Grammy Aëards’ shpërbleu me çmime artistët më të dëgjuar të vitit. Në këtë mbrëmje nuk kishte si të mungonte as artistja e talentuar, Dua Lipa. Ajo u nominua gjithsej për gjashtë çmime dhe u shfaq mjaft elegante në tapetin e kuq. Bukuroshja kishte veshur një fustan rrjetë, i cili i vinte në pah linjat trupore.
Dua është nderuar me çmimin “Grammy” në kategorinë për albumin më të mirë në zhanrin pop, me “Future Nostalgia”. Ky është çmimi i saj i parë në edicionin e 63-të të ndarjes së çmimeve prestigjioze. Më 2018 kishte fituar dy çmimet e para “Grammy” në karrierë, atë për artisten më të mirë të re dhe për incizimin më të mirë dance.
“Faleminderit shumë, kjo është një çmenduri. ‘Future Nostalgia’ më ka ndryshuar jetën në shumë mënyra por një gjë që e kam kuptuar është se sa e rëndësishme është lumturia. Në fund të albumit tim të parë mendoja se duhet bërë muzikë të trishtë për të ndier se ajo ka rëndësi dhe jam mirënjohëse dhe e nderuar pasi që lumturia është diçka që të gjithë e meritojmë”, ka thënë Lipa pasi pranoi çmimin.