Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, ka tërhequr vemendjen dje gjatë një interviste në “Euronews Albania”, për look-un e tij. Një bluzë me një mesazh të fortë, ku theksi vihet tek të drejtat e kafshëve. Në një panel me të ftuar ish-kreun e KQZ, Denar Biba, analistin Neritan Sejamini, Drejtorja i Institutit për Demokraci, Media dhe Kulturë Jonila Godole, pedagogu Blendi Çeka, dhe drejtuesja e qendrës “Linja e Këshillimit për Gra dhe Vajza”, Iris Luarasi, Manjani dha goditjen e tij të radhës përmes bluzës që kishte veshur. “Edhe unë kam të drejta”, ishte shkrimi që mbante bluza e tij, e ku në të ndodhej fotoja e qenit të tij Runi.
Ylli Manjani, gjatë këtyre ditëve është distancuar nga prapaskenat e mesazhet politike, duke lënë një shije tjetër për këdo që i do dhe i mbron kafshët. Jo më larg se një javë më parë, shumë qytetarë dhe anëtarë të shoqërisë civile dolën në protestë, pasi u ankuan për keqtrajtimin dhe vrasjen e kafshëve.
Qentë lihen pa u ushqyer, dhunohen dhe helmohen. Protesta u zhvendos në spitalin e kafshëve në Kombinat, duke kërkuar mbylljen e institucionit. Në shenjë simbolike, para dyerve të spitalit u hodh bojë e kuqe, për gjithë gjakun e derdhur nga vrasja e kafshëve.
Manjani ka qëndruar pasiv lidhur me pjesëmarrjen e tij në protestë, por ama ka shfrytëzuar mundësinë mediatike për të reaguar në heshtje! Ylli Manjani ka spikatur shpeshherë për mendimin ndryshe në politikë, e po kështu edhe për stilin e tij unik, duke diferencuar nga masa. Edhe këtë herë ai bëri diferencimin, duke ‘folur pa zë’ për kafshët, ndonëse ishte i ftuar për një tjetër tematikë.