Kavaja është një nga shtatë bashkitë e vetme që fitoi koalicioni “Bashkë Fitojmë” në zgjedhjet e fundit lokale, bashkë me Pukën, Fushë Arrëzin, Memaliajn, Mirditën, Hasin dhe Himarën që është ende pezull.
Kandidati i BF, Fisnik Qosja, në një intervistë menjëherë pas shpalljes së rezultatit tha se objektiv i tij do ishte… zhvillimi i bregdetit.
Me sa duket, me zhvillim, e ka patur fjalën për vendosje kioskash.
Ky vendim më poshtë tregon se kryetari Qosja e ka nisur drejtimin e bashkisë duke dhënë një leje të tillë në bregdetin e Golemit.
E kotë të përsëritësh se kioskëzimi ka qenë edhe më herët murtaja urbanistike e bashkive të drejtuara nga PD. Ideja e tyre për “zhillim”, fatkeqësisht nuk shkon dot përtej kësaj.
Qosja fitoi me përmbysje rezultati, garën për kreun e bashkisë së Kavajës kundrejt rivalit socialist Redjan Krajli. Qosja fitoi 11769, ndërsa Redjan Krajli mori 10914.
Socialistët kanë shumicën e Këshillit Bashkiak dhe duhet t’i ndalojnë rikthime të tilla të historisë mbrapsht, veçanërisht kur bëhet fjalë për bregdetin.