Pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për vendosjen e reciprocitetit për targa, pjesëtarë të Policisë së Kosovës po vazhdojnë të qëndrojnë në gjendje gatishmërie në pikën kufitare në Jarinjë.
Por në një kohë që policia e Kosovës po kryen detyrën brenda territorit të saj, duket se paramilitarët serb dhe njësite speciale të infiltruara nga Serbia po marrin ditë pas dite teren në Veri të shtetit.
Në disa pamje të transmetuara gjatë ditës së sotme shihet se në Jarinjë janë futur deri brenda territorit të Kosovës, automjete 4×4 të xhandarmërisë serbe duke vrojtuar Policinë e Kosovës, shkruan “Jepi Zë”.
Edhe Policia e Kosovës në anën tjetër po përcjell lëvizjet e tyre nga territori i Republikës së Kosovës, në një kohë që forcat speciale serbe janë instaluar në disa pika strategjike duke dominuar lartësitë e zonës, si dhe duke bërë edhe patrullime nga ajri me helikopter.
Helikopterë të forcave speciale serbe po fluturojnë pranë kufirit Kosovë-Serbi, afër Jarinjës, edhe pse duhet thënë se ende nuk është shënuar asnjë incident prej të paktën katër ditësh në këtë zonë.
Aty gjithsesi janë parë edhe pjesëtarë të KFOR-it dhe EULEX-it.
“RTV Dukagjini” raportoi se, gjatë natës serbët kanë hedhur zhavorr në afërsi të pikës kufitare në Bërnjakut.
E njëjta media thotë se, protestuesit serbë kanë shtuar gjithashtu dhe numrin e mjeteve të rënda në rrugë, çka tregon se, janë të vendosur ta vazhdojnë protestën e tyre ndaj vendimit të Prishtinës zyrtare, për reciprocitet me targat në kufi.
Mësohet sakaq se xhandarmëria serbe në afërsi të Jarinjës, është vendosur në disa pika të larta, nga ku po vrojton njësitë e policisë së Kosovës.
Që prej 20 shtatorit, kur Qeveria e Kosovës vendosi masën e reciprocitetit për targat e automjeteve nga Serbia, serbët lokalë kanë bllokuar rrugët që çojnë në pikë-kalimet kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, në veri të Kosovës.
Njësitë speciale të Policisë së Kosovës janë vendosur në këto dy zona, teksa dy shtetet shkëmbyen akuza për vendosjen e kësaj mase. Institucionet ndërkombëtare kanë bërë thirrje për uljen e tensioneve.
Serbët për herë të parë i ngritën barrikadat në shenjë proteste në vitin 2011, për të kundërshtuar shtrirjen e pushtetit të Prishtinës në veri. Që atëherë, ato janë kthyer në simbol të jostabilitetit në veriun e Kosovës.
/Priza.al/