Sot mbushen 22 vite që nga fillimi i bombardimeve të NATO-s kundër forcave të Serbisë, që kishin nisur një fushatë spastrimi etnik ndaj shqiptarëve të Kosovës. Bombardimet kanë pasuar disa përpjekje për të siguruar një marrëveshje paqësore, e cila ishte refuzuar nga Serbia.
Lufta e Kosovës ishte një konflikt i armatosur në Republikën e Kosovës (në atë kohë Republika Federale e Jugosllavisë) ndërmjet Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe Ushtrisë së Jugosllavisë (JNA), e cila filloi më 28 shkurt të vitit 1998, pas sulmit jugosllav në fshatrat Likoshan dhe Qirez në Drenicë të Kosovës. Dhe përfundoi me nënshkrimin e Marrëveshjes së Kumanovës më 11 qershor 1999. Ushtria Çlirimtare e Kosovës, mori mbështetje ajrore nga NATO (nga 24 marsi i vitit 1999) dhe mbështetje tokësore nga Ushtria e Shqipërisë.
Në këtë luftë u dëbuan 848.000 shqiptarë nga Kosova, u vranë 15.000 persona, nga të cilët 1.500 luftëtarë të UÇK-së, 1.008 ushtarë dhe policë serbë dhe të tjerët civilë të thjeshtë. Gjatë luftës janë zhdukur rreth 5.000 njerëz, fati i shumicës prej tyre është zbardhur deri në vitin 2007, por i madh ka mbetur numri i rasteve të pasqaruara.
Në 9 korrik 1998, Presidenti i SHBA, Bill Clinton deklaroi “emergjencën kombëtare” (gjendje e jashtëzakonshme) për shkak të “kërcënimit të pazakontë dhe të jashtëzakonshëm të sigurisë kombëtare dhe politikave ndërkombëtare të Shteteve të Bashkuara”, imponuar nga Jugosllavia dhe Serbia mbi Luftën e Kosovës.
Pasi nga Beogradi ishte pa një marrëveshje paqeje, ish i dërguari i posaçëm amerikan, Richard Holbrook i kishte thënë sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Javier Solana, se Slobodan Millosheviç kishte refuzuar edhe kërkesën e fundit, për t’i dhënë fund fushatës së pastrimit etnik të shqiptarëve në Kosovë. Kështu nisën sulmet ajrore të NATO-s për ta çliruar Kosovën.
Në 23 mars 1999 në orën 22:30, Richard Holbrooke u rikthye në Bruksel dhe lajmëroi se bisedimet e paqes dështuan, dhe i dorëzoi çështjen formalisht NATO-s për veprime ushtarake. Disa orë para lajmërimit, Jugosllavia lajmëroi në televizionin kombëtar se ka deklaruar gjendjen e emergjencës, duke cituar një kërcënim të afërt lufte dhe filloi një mobilizim të madh trupash dhe resursesh.
Në 23 mars 1999 në orën 23:17, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Javier Solana lajmëroi se kishte urdhëruar Komandatin Suprem Aleat të Europës (SACEUR), Gjeneralin e Ushtrisë Amerikane, Wesley Clark , që të “nisë operacionet ajrore në Republikën Federale të Jugosllavisë”. Në 24 mars në orën 20:00, NATO nisi fushatën bombarduese kundër Jugosllavisë.
Fushata bombarduese e NATO-s zgjati nga 24 marsi deri në 11 qershor 1999, duke përfshirë mbi 1.000 avionë që vepronin kryesisht nga bazat në Itali, dhe në aeroplan-mbajtëset të stacionuara në Adriatik.
Qëllimi i paracaktuar i NATO-s u përmblodh nga zëdhënësit e saj si “serbët jashtë, paqeruajtësit brenda, refugjatët të kthehen”. Kjo ishte, trupat jugosllave duhej të largoheshin nga Kosova dhe do të zëvendësoheshin nga paqeruajtësit ndërkombëtarë, në mënyrë që të siguronin që refugjatët shqiptarë të ktheheshin në shtëpi. Urdhrin për fillimin e fushatës bombarduese e dha presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton.
Clinton mbajti para popullit amerikan fjalimin historik, duke lajmëruar se kishte urdhëruar Aleancën Atlantike të fillonte operacionin ushtarak, si mundësi e vetme për të ndalur luftimet në Kosovë.
“Ne dhe Aleanca e NATO-s kemi bërë të gjitha përpjekjet, me qëllim që të arrinim një zgjidhje paqësore të konfliktit në Kosovë. Por presidenti Millosheviç, i cili në të kaluarën shkaktoi luftëra të tmerrshme në Kroaci e në Bosnjë, ka vendosur në favor të agresionit në vend të paqes”.