Me zjarret nuk bëhet shaka, por as me “gjigantin e madh rus” i cili mjafton të fluturojë një herë mbi flakë dhe i tapos ato…
Ai është një “super-plaçkë” por edhe një super-mjet! E kemi fjalën për hidroplanin reaktiv zjarrfikës më të madh, i cili këto ditë po lufton përkrah zjarrfikësve grekë për të shuar zjarret e verës.
Në kohë rekord, “Beriev Be-200” u riparua në bazën ajrore Elefsina, pas një dëmtimi të njërit prej motorëve të tij, gjatë një operacioni në Evia dhe pas maratonës që bëri në Varybobi të Greqisë.
Sipas burimeve të Forcave Ajrore në Greqi, dëmtimi i motorit ishte mjaft serioz.
Sidoqoftë, fakti që kontrata e Ministrisë së Mbrojtjes Civile dhe PAO-së ruse Ilyushin, kishin parashikuar ekzistencën e pjesëve rezervë të mjaftueshme gjatë qëndrimit të tij në Greqi, uli shumë orët e riparimit të avionit dhe shkurtoi disa kosto të larta.
Në të njëjtën kohë, në Greqi ka teknikë të specializuar të kompanisë ruse, të ardhur bashkë me ekuipazhin e super-mjetit.
Ata bashkëpunojnë me teknikët e Forcave Ajrore greke, të cilët konsiderohen si nga më të trajnuarit dhe më efektivët në botë.
Sipas informacioneve nga mediat greke, marrja me qira e avionit “Beriev-200” i kushtoi Greqisë pak më pak se 3.8 milionë euro për katër muaj, por kjo ja vlen kur mendon se mund të të ndodhin tragjedi dhe dëme si ato të disa viteve më parë në periferitë e Athinës.
Po ashtu është më mirë që këtë super-hidroplan ta prenotosh për disa muaj të verës, pasi qiraja të kushton më lirë se sa blerja e këtij avioni.
Ai kushton për momentin me një vlerë të konsiderueshme dhe vlerësohet të tejkalojë shumën e 65 milionë eurove.
Pra mjafton të dish qiranë e këtij super-mejti dhe të përllogarisësh gjithë ata helikopterë dhe automjete, që të kuptosh se sa i shkojnë çdo vit kostot financiare fqinjit tonë Jugor për operacionet e fikjes së zjarreve.
/Priza.al/