Më gjithë presionin e madh nga Turqia, fqinji ynë jugor, Greqia, nuk tërhiqet nga gara e madhe e armatimit me pajisje luftarake të fjalës së fundit, duke treguar supermacinë e saj ushtarake në rajon.
Ministri grek i Mbrojtjes, Nikos Panagiotopulos, udhëtoi sot për në Francë për ceremoninë e dorëzimit të 18 avionëve luftarakë “Rafale” që do të forcojnë “Forcën Ajrore Greke” duke ndryshuar edhe ekuilibrat në Egje.
Ai shoqërohej nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Mbrojtjes Kombëtare, Gjenerali Konstantinos Floros dhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave Ajrore Greke, admirali Georgios Blioumis.
Në total, Greqia do të marrë 18 avionë, nga të cilët 12 të përdorur dhe 6 të rinj. Gjashtë avionët e parë të gjeneratës së 4-të “Rafale”, do të dorëzohen në Greqi brenda 2021-it.
Gjashtë “luftëtarët” e rinj do të merren në pranverën e 2022-it, ndërsa gjashtë të fundit të përdorur pritet të dorëzohen në fillim të vitit 2023.
Marrëveshja prej 2.32 miliardë eurosh përcakton që 1.92 miliardë euro lidhen me vlerën e avionëve dhe 400 milionë euro kanë të bëjnë me sistemet e armëve. “Rafale” ka aftësi zbulimi, por edhe goditjeje dhe kapjeje, i përshtatur për luftë ajër-ajër.
Skuadrilja greke “Rafale” do të vendoset në Bazën Ajrore Tanagra. Tashmë, pilotët dhe stafi (teknikët) grekë janë duke u trajnuar në Francë, në mënyrë që të jenë të gatshëm.
Furnizimi i Greqisë me avionët e rinj pritet që të ndryshojnë ekuilibrat në Egje, referuar tensioneve me Turqinë për kufirin detar.
/Priza.al/