Këto ditë të nxehta gushti kur zjarret anë e kënd po bëjnë “kërdinë” dhe nuk po lënë jo më pyje e shkurre, por as shtëpi e jetë njerëzish pa marrë, janë disa persona për të cilët interesi është mjaft i madh, por vëmendja mjaft e vogël.
Ata janë pikërisht heronjtë e kësaj lufte të frikshme, luftës me zjarrin, me shkatërrimin, me vdekjen që nuk ka kursyer as njerëzit në këto ditë “feri” në Tokë.
Ata janë pikërisht zjarrfikësit!
Dy javët e fundit kanë sjellë në qendër të vëmendjes ata, heronjtë e situatave të vështira, zjarrfikësit.
Kamerat dhe aparatet fotografikë nga e gjithë bota kanë fiksuar uniformat portokalli që herë të mbrojtur, e herë të pambrojtur, kanë luftuar me zjarret që kanë pushtuar mjaft vende të Europës Jugore këto kohë, mes tyre dhe vendin tonë, Shqipërinë.
Me bukë në duar duke ngrënë mbi makina, pa gjumë, të sfilitur dhe të rraskapitur mes tymit, fotot që po shikojmë reflektojnë pasqyrën e vërtetë të heronjve të kësaj vere.
Fotot janë shkrepur në Turqi, Greqi, Itali, Shqipëri dhe vende të tjera.
/Priza.al/