Filmi i fundit i Daniel Craig ne rolin e James Bond, pati mbrëmë premierën e tij edhe në kryeqytetin shqiptar. Pasditen e djeshme, u shfaq në Kinema Millenium, teksa të pranishëm ishin disa VIP-a dhe personalitete shqiptarë.
Në një event të organizuar me detaje, që të fusnin në atmosferën e filmit më të famshëm britanik, Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe ambasadori i ri i Britanisë se Madhe në Shqipëri, Alastair King-Smith, ishin mikpritesit e veçantë të të ftuarve VIP, të cilët u bënë pjesë të shfaqjes premierë.
Prezent gjithashtu ishin ambasadorja amerikane Yuri Kim, Ministrja e Kulturës, Elva Margariti dhe Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi. Pjesë e kësaj ceremonie ishte edhe parakalimi në tapetin e kuq, ku të ftuar VIP do të fotografohen apo mund të intervistohen.
Bora Zemani, Arbana Osmani dhe Eduart Grishaj, Elvana Gjata, Eneda Tarifa e plot personazhe të njohur të jetës publike u bënë bashkë në këtë shfaqje të parë të filmit të ri të Bond.
Në fjalën e mbajtur në fillim të eventit, Veliaj tha se me premierën e këtij filmi nis edhe një “sprint” marrëdhëniesh mes Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe.
“Kemi kaluar një situatë shumë të vështirë me 2 tërmetet, me pandeminë, por tani është koha që të rihapemi, eshtë koha të festojmë, të njohim miqtë, të fillojmë nga e para dhe është koha të ringrihemi. Me këtë aktivitet të parë, jo vetëm bëjmë prezantimin e ambasadorit të ri britanik në Tiranë, por fillojmë edhe një stinë aktivitetesh, që vetëm fillimin e ka te filmi i sotëm”, nënvizoi Veliaj.
Ai shtoi se vitin tjetër ku Tirana është “Kryeqyteti Europian i Rinisë”, do zhvillohen rreth 1 mijë aktivitete, shumë prej të cilave do të jenë në bashkëpunim me Britaninë e Madhe.
Ambasadori britanik në Tiranë, Alastair King-Smith tha se kjo premierë filmi, është vetëm fillimi i një bashkëpunimi të mëtejshëm mes Shqipërisë dhe Britanisë.
“Po e nisim me një nga filmat më të mirë që përfaqëson kulturën britanike, në mënyrë që të afrojmë sa më shumë Shqipërinë dhe Mbretërinë e Bashkuar. Kjo jo vetëm në rangun e qeverive, por gjithashtu edhe bashkimin e njerëzve. Ndaj, do të shohim mënyrat për të ndërtuar marrëdhënie të përbashkëta më të forta dhe më të ngushta mes dy vendeve”, pohoi Smith.
Të gjithë të ftuarit u paraqitën në event me certifikatën e vaksinimit të Covid 19.
Filmi i “James Bond” “No time to die” pati premierën e tij botërore në Londër, 18 muaj më vonë nga sa ishte planifikuar sepse u vonua nga pandemia. “No Time To Die” është dalja e pestë e aktorit britanik, Daniel Craig si 007.