Gruaja e El Chapo-s, Emma Coronel Aispuro besohet se ka rënë dakord me autoritetet për të bashkëpunuar, duke treguar detaje nga perandoria kriminale e zotit të drogës.
Ajo ka vendosur të bashkëpunojë në këmbim të një marrëveshjeje duke pranuar fajin. Emma Coronel Aispuro do të paraqesë deklaratën e saj në një gjykatë të Nju Jork-ut të enjten.
Ajo u arrestua në Aeroportin Ndërkombëtar të Dullës në Virxhinia nga autoritetet amerikane, para se të akuzohej për pjesëmarrje në një komplot për shpërndarjen e kokainës, metamfetaminës, heroinës dhe marihuanës për import në SHBA.
Emma akuzohet gjithashtu se ka ndihmuar El Chapo-n të arratisej nga burgu Altiplano në Meksikë në vitin 2015.
Por kush është zeshkanja bukuroshe dhe si u bë pjesë e jetës së mbretit më të fuqishëm të drogës në botë, kartelit Sinaloa, i cili kontrabandoi sasitë më të mëdha të drogës drejt SHBA-ve në një periudhë 25-vjeçare?
Emma u takua me El Chapo kur ishte vetëm 18 vjeçe dhe në vitin 2007 konkurroi në një konkurs bukurie.
El Chapo ishte 50-vjeç në atë kohë dhe kishte udhëtuar në Canelas, Meksikë ku po mbahej konkursi, me qëllim për të takuar Emën.
Çifti vendosi të martohej atë ditë dhe ajo do të bëhej gruaja e katërt e kriminelit famëkeq.
Ema lindi afër San Franciskos, në Kaliforni teksa nëna e saj ndodhej për vizitë te të afërmit atje. Si pasojë, ajo ka kombësi meksiko-amerikane.
Babai i saj, Inés Coronel Barreras ishte mik prej kohësh me El Chapo-n dhe ishte një anëtar i rangut të lartë të kartelit Sinaloa.
Ai u dënua me 10 vite burg në 28 prill të vitit 2017, për trafik droge dhe armëmbajtje pa leje.
Vëllai i saj, Édgar Coronel u arrestua gjithashtu për trafik droge dhe akuzohet se ndihmoi në arratisjen nga burgu të El Chapo-s. Ai aktualisht po vuan dënimin në Meksikë.
Pasi Emma dhe El Chapo u martuan, erdhën në jetë binjakët Maria Joaquina dhe Emami në gusht të vitit 2011. Thuhet se emri i babait të tyre në çertifikatën e lindjes është bosh, pasi Emma u përpoq të mbronte identitetin e El Chapo-s.
Lordi i drogës u arrestua nga autoritetet meksikane në janar të vitit 2016. Ai u ekstradua në SHBA në janar 2017 dhe dy vjet më vonë u dënua me burgim të përjetshëm për vrasje, pastrim parash, trafik droge dhe krim të organizuar.
Teksa burri i saj nisi të vuante dënimin e përjetshëm, Ema vazhdoi jetën e saj mes luksit. Ajo u shfaq në emisione televizive dhe hodhi nëtreg një linjë veshjesh, për të cilën tha se ishte frymëzuar nga stili i burrit të saj. Por, tani ajo rrezikon të dënohet me 10 vite burg.
Bukuroshja meksikane u rrit me njohuri të industrisë së trafikut të narkotikëve për shkak të lidhjeve të ngushta të familjes së saj me kartelin.
Pavarësisht arrestimit të El Chapo-s, karteli Sinaloa ka ende një ndikim të gjerë në narkotrafikimin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
/Burimi:DailyStar/ Përshtati:Priza.al/