Pasi marrëdhënia e Dritan Lelit me kryeministrin Rama u ‘kris’ pasi ky i fundit refuzoi kërkesën e tij për kandidimin si deputet të PS-së, duket se ata të dy ende nuk kanë gjetur ‘paqen’ midis tyre. Pasi Leli refuzoi dorëheqjen, kryesocialisti i dërgoi një mesazh në celular ku shkruhej: Zhduku nga bashkia, mos të të shoh më. Ky ultimatum nuk mori një përgjigje nga Leli, i cili zgjodhi të fikte telefonin dhe të mos i përgjigjej Ramës.
Kryeministri e ka vizituar shpesh qytetin e Vlorës dhe është shprehur se ky qytet ka gjithçka, përveçse një kryebashkiak. Në disa foto të publikuara një muaj më parë, shihej Rama që pastronte mbeturinat e këtij qyteti. E mesa duket, ai e ka dhënë shembullin e tij të mirë.
Kryebashkiaku Dritan Leli ka bërë të njëjtën gjë dhe ka zbritur në terren ku po vijon punën për pastrimin e qytetit bregdetar pas një sezoni të ngarkuar turistik.
“Vijon edhe sot aksioni i pastrimit në disa segmente të një prej rrugëve më të bukura të qytetit. Ekipet e punës do të fokusohen këto ditë në të gjithë gjatësinë e rrugës nacionale Vlorë-Orikum. Ne duke bërë punën tonë dhe ju duke u kujdesur të mos e dëmtoni ambientin, do t’i japim nivelin e pastërtisë që i nevojitet një qyteti turistik”, shkruan kryebashkiaku në llogarinë e tij në ‘Facebook’ teksa ka ndarë dhe disa foto nga puna që po bëhet.
/Priza.al/