Arjan Shahaj, 29-vjeçar, student në Akademinë e Sigurisë ka ndërruar jetë si pasojë e një aksidenti që ndodhi mesditën e sotme në afërsi të Liqenit Artificial në Tiranë.
Dyshohet se viktima ka humbur kontrollin nga lagështia. Ai është përplasur fillimisht me pjesën metalike në të djathtë të rrugës, sapo nis ngjitja e mbikalimit dhe pastaj ka përfunduar deri te trafikndarësja.
“Më datë 08.11.2023, në afërsi të liqenit artificial, automjeti me drejtues shtetasin A. Sh. dyshohet se është përplasur me automjetin me drejtues shtetasin Y. R.
Si pasojë e aksidentit, ka humbur jetën në vendngjarje, shtetasi A. Sh. (student në Akademinë e Sigurisë).
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit”, njoftoi policia.
Mesohet se makina tip Minicuper që drejtohej nga i riu Arjan Shanaja, lëvizte me shpejtësi në autostradën nga Sauku në drejtim të digës së Liqenit. Më pas ai ka humbur kontrollin dhe është përplasur me bordurën anësore.
Pjesët e makinës së tij kanë goditur një automjet tjetër që drejtohej nga Ylli Rama. Ky i fundit mësohet se fillimisht është ndaluar për ndihmë mjekësore, pasi është gjetur në vendin e ngjarjes, por më pas është lënë i lirë, pasi nuk ishte i përfshirë në aksident.