FOTO LAJM/ Një viktimë të pafajshme dhe dëme materiale, çfarë la pas sulmi me armë ndaj “Top Channel”

Ngjarja e ndodhur pak pas mesnate ku persona ende të paidentifikuar qëlluan drejt ambienteve të televizionit “Top Channel”, ka zgjuar vendin të tronditur. Sulmi me breshëri kallashnikovi la të vrarë rojen e objektit, 60-vjecarin Pal Kola.

Njoftimi i policisë: “Më datë 27.03.2023, rreth orës 01:00, në Mëzes, në rrethana ende të paqarta, nga persona ende të paidentifikuar, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të ambienteve të Top Channel.

Si pasojë e të shtënave ka humbur jetën roja i sigurisë shtetasi Pal Kola 60 vjeç (punonjës i një shoqërie për ruajtjen fizike të objekteve).

Është ngritur grupi hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna intensive për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, sekuestrimin e provave që do të shërbejnë për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Shërbimet e Policisë kanë ngritur pikat e kontrolleve dhe vijon puna për identifikimin e kapjen e autorëve”

Ngjarja ndodhi rreth orës 1:00 të 27 marsit. Plumbi i marrë la fillimisht të plagosur e më pas i mori jetën 60-vjeçarit. Familjarët e tij treguan ditën e sotme jashtë kamerave se Kola kishte 6 muaj që punonte si roje sigurie pranë Top Medias. Ai jetonte në zonën e Sharrës, dhe çdo ditë shkonte në këmbë drejt ambienteve të televizionit kombëtar, ku punonte si roje objekti.

Shtëpia ku banonte viktima, Pal Kola (Sharrë, Tiranë)

Autorët ende mbeten të paidentifikuar, por mëngjesin e sotëm, u gjet një automjet i djegur në Golem të Kavajës. Ai dyshohet se është përdorur nga autorët e ngjarjes.

Automjeti ishte tip “Range Rover” me targa të vjedhura. Brenda tij u gjet arma e zjarrit tip kallashnikov, nga plumbat e së cilës humbi jetën 60-vjeçari i pafajshëm.

Automjeti i gjetur i djegur, dyshohet se është përdodur nga autorët e sulmit (Golem, Kavajë)

Sakaq, siç shihet edhe nga pamjet e mëposhtme, dëmet materiale janë të konsiderueshme në godinën e televizionit. Megjithatë ato mbeten të papërfillshme në raport me jetën e humbur.

Dyshohet se një nga pistat ku po hetohet mund të jetë “reality show” “Big Brother VIP” i cili ka prodhuar vazhdimisht polemika në rrjet.

Një tjetër pistë është misioni apo puna e televizionit “Top Channel”.

Politikanë të shumtë, të pozitës e opozitës kanë dënuar ngjarjen dhe kanë kërkuar vendosjen përpara drejtësisë të autorëve. Këtë qëndrim ka mbajtur edhe vetë ministri Çuçi, i cili ka garantuar gjithashtu se Policia e Shtetit po punon për zbardhjen e ngjarjes.


Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *