Është munduar që të imitojë në miniaturë zbarkimin aleat në Normandi në Luftën e Dytë Botërore, por përball nuk ka pasur trupat më të mira të Hitlerit por vetëm plazhe të lira… Rusia ka mbajtur sot manovra masive pushtimi në gadishullin e Krimesë me më shumë se 40 luftanije e 30 avionë gjuajtës, në një shfaqje të “frikshme” force pranë Ukrainës.
Në pamjet e publikuara nga Moska, shiheshin lëshime raketore, praktikë bombardimi dhe zbarkime bregdetare të simuluara, të publikuara nga rrjeti televiziv i ministrisë së mbrojtjes “Zvezda”.
Fushata është e fundit e një serie stërvitjesh gjigante të porositura nga qeveria e Putin.
Një zëdhënës i ushtrisë ruse tha se, “luftimet e simuluara” përfshijnë grupe të simuluara armike që hyjnë në Krime për të kryer sulme terroriste, ose për të destabilizuar situatën në rajone të tjera të jugut të Federatës.
“Trupat bregdetare të Flotës së Detit të Zi kryen ushtrime praktike anti-sabotazhi dhe luftuan grupe detare sulmi”,- thuhej në deklaratën e ushtrisë.
Mes luftanijeve që merrnin pjesë në manovra, ishte mjeti amfib zbarkues “Moskva” që shoqërohej nga “mbrojtja” e helikopterëve sulmues “Kamov Ka-52”.
Burimet e ministrisë së mbrojtjes thanë: “Militantët u bllokuan nga forcat e njësive të motorizuara, me mbështetjen e njësive ajrore”.
Raportimet flisnin për rreth 8000 ushtarë të përfshirë dhe rreth 500 automjete ushtarake të blinduara dhe jo. Në aksion u dislokuan dronët ushtarakë “Forpost” e “Orlan-10”.
Shfaqja masive e forcës përfshinte trupa ruse me bazë në Abkazi, Armeni e Osetia e Jugut, flotën e Detit Kaspik dhe atë të Detit të Zi. Krimea është aneksuar nga Ukraina prej Rusisë në vitin 2014.
/Burimi: Daily Mail/Përshtati: Priza.al/