Një baba është ekzekutuar publikisht pasi u shpall fajtor për vrasjen e tri vajzave të tij. Ali Abdullah al-Noami i la vajzat e tij të mbyteshin në një rezervuar pas një grindjeje me gruan e tij. Rahaf 7 vjeçe, Raghad 12 vjeçe dhe Malak 14 vjeçe, humbën jetën.
Ali Abdullah së bashku me dy vrasës të tjerë fëmijësh, Abdullah Ali al-Mukahali, 38 vjeç dhe Mohammed Abdullah Arman, 33 vjeç u nxorën në qendër të kryeqytetit të Jemenit, u gjunjëzuan dhe më pas u vranë me kallashnikov AK-47 përpara një turme njerëzish, të cilët po filmonin ngjarjen.
Abdullah Arman ishte dënuar për përdhunimin dhe vrasjen e një djali tetë vjeçar të quajtur Mohammed al-Haddad. Ligjet aktuale në Jemen lejojnë dënimin me vdekje për një gamë të gjerë krimesh përfshirë vrasjen, rrëmbimin, përdhunimin, tradhëtinë bashkëshortore, homoseksualitetin dhe një numër të veprave fetare.
Pasi tre burrat u qëlluan, një mjek i kontrolloi dhe u sigurua që ata kishin vdekur. Ky ishte ekzekutimi i parë në publik që prej gushtit të vitit 2018, ku tre burra të dënuar për përdhunimin dhe vrasjen e një fëmije u qëlluan dhe më pas trupat e tyre u shfaqën të varur te një vinç.
Jemeni aktualisht ka dy qeveri rivale, një me seli në Sana’a nën kontrollin e rebelëve Houthi të mbështetur nga Irani, dhe një e dytë e kontrolluar nga Aden. Ka pasur tension midis territoreve veriore dhe jugore të Jemenit për breza të tërë, por ndarja aktuale daton nga viti 2017.
/Burimi:DailyStar/Përshtati:Priza.al