“USNS Trenton” është një anije amfibe dhe kontingjent zbarkuese e Marinës Amerikane. Ajo ngjan si “Arka e Noes” në pamje të parë dhe nuk të jep përshtypjen e një anije lufte, por në fakt është shumë e shpejt dhe e pajisur me teknologji të lartë.
Prej disa ditësh ajo ka ardhur dhe është ankoruar në Portin Detar të Durrësit, dhe dje është vizituar edhe nga Komandanti i Forcës Detare shqiptare Gjeneral Brigade, Ilir Xhebexhia.
Në një njoftim zyrtar shoqëruar edhe me foto nga ambientet e kësaj luftanije, Ambasada e SHBA-ve në Tiranë bën të ditur se, anija “USNS Trenton” e Marinës Amerikane, ka ardhur për një ndalesë për furnizim në Durrës.
Komandanti i Forcës Detare shqiptare, u prit në bordin e “USNS Trenton” nga Kapiteni i Shteteve të Bashkuara, Douglas Casavant dhe Komandanti TJ Seifert, të cilët e shoqëruan për një vizitë brenda anijes.
Kapiteni Casavant tha se “ishte një kënaqësi të mirëpresin Komandantin e Forcës Detare shqiptare, për të thelluar angazhimin dhe bashkëpunimin midis dy vendeve. Ne mirëpresim ndërveprime të tjera të përbashkëta në të ardhmen pas suksesit të stërvitjes Defender-Europe 21”.
Kjo anije përdoret nga Marina Amerikane për transport pajisjesh dhe është e pajisur edhe me një pistë për uljen e helikopterëve. Ekuipazhi zhvilloi një vizitë të këndshme në Durrës dhe patën mundësinë të mësonin mbi historinë e Shqipërisë.
/Priza.al/