Dy njerëz janë vrarë dhe të paktën pesë janë plagosur, mes të cilëve dhe një oficer policie, në qendrën tregtare të Boise, të shtetit amerikan të Idaho-s.
Sulmuesi, i cili besohet se ka vepruar vetëm u ndalua nga autoritetet, pasi u plagos nga një shkëmbim zjarri me policinë, njoftuan autoritetet.
Policia tha se, dje rreth orës lokale 14.00 nisën të dëgjoheshin thirrjet e alarmit për sulmues të armatosur brenda qendrës tregtare në Boise.
Kreu i policisë Ryan Lee, tha se, “është ende e parakohshme të bëhen supozime” për motivet e sulmuesit dhe se hetimet ende vazhdojnë.
Deri në orën 16:30 qendra tregtare ishte zbrazur dhe policia vazhdonte me kërkime në çdo dyqan, nëse kishte kërcënime për qytetarët.
Në pamjet e kamerave të sigurisë shiheshin qytetarë që vraponin në panik për të dalë nga qendra.
Kryebashkiakja e Boise, Lauren McLean, falënderonte pronarët e dyqaneve që i kishin ofruar mbrojtje qytetarëve, gjatë momenteve të panikut.
“Dhjetëra njerëz e gjetën veten në një situatë që nuk e kishin pritur kurrë. Dua të falënderoj punonjësit dhe pronarët e dyqaneve, që reaguan shpejt për t’u kujdesur për ata që ishin aty”,- tha ajo.
/Priza.al/