Vitet e fundit jemi mësuar të dëgjojmë histori pa fund për shqiptarë që ikin dhe largohen nga vendi i tyre, duke mos pasur më asnjë shpresë se Shqipëria mund edhe të bëhet.
Por shembullin më të mirë të mos braktisjes së vendit tani duket se po e japin kafshët e egra të faunës tonë.
“Sikurse kemi lajmëruar në Nëntor 2020, ndryshe nga lejlekët e tjerë që zgjodhën të shtegtonin për të kaluar dimrin në Afrikë, Lejleku (??????? ???????), folenizues në Fier, zgjodhi t’i qëndrojë besnik folesë së instaluar dy vite më parë nga AOS dhe “OST Njesia Operative Fier” dhe të kalojë dimrin në klimën e butë të Myzeqesë.
Gjatë dimrit, ai shihej në fole herët në mëngjes prej ku nisej çdo ditë për të kaluar ditën i vetmuar në zona të ndryshme të ushqimit si pellgje, ligatina bregdetare, fusha të punuara, landfillin e Fierit, liqene, rezervuare etj.
Me afrimin e mbrëmjes, Lejleku ynë kthehej përherë në fole, duke dhënë çdo ditë e më shumë shpresë për pranverën e folezimit.
Por në ditët e fundit, sjellja e tij ka ndryshuar! Ndjeshëm! Lejleku kalon shumë më tepër kohë në fole duke u kujdesur për ta rindërtuar, ndërsa pjesën tjetër ai pret! Pret “me padurim” për partneren që po shtegton nga zonat e dimërimit drejt shtëpisë së vet në Fier.
Po, po! Është e njëjta femër që do të vijë në fole! Sepse lejlekët nuk e ndërrojnë partnerin e tyre. Kur ata e ndajnë mendjen, s’ka Lejlek në botë tua ndryshoje!
Por, rrugëtimi i Lejlekut femër nuk ka për të qenë i lehtë. Rruga e kthimit është e mbushur me rreziqe si brakonazhi, përplasja me linjat elektrike, elektroshoku, apo shpeshherë edhe kushtet ekstreme të motit.
E megjithatë Ai (Lejleku) dhe ne do të shpresojmë që çifti të bëhet së shpejti bashkë dhe të rrisë breza e breza lejlekësh të rinj, që një ditë do të kthehen për të folezuar sërish në atdhe. Pikërisht aty ku balta është më e ëmbël se mjalta!!!”
/Burimi: AOS-Albanian Ornithological Society/ Përshtati: Priza.al/