Në mesin e sezonit veror, pjesa më e madhe e të huajve dhe shqiptarët zgjedhin të kalojnë pushimet në Shqipëri. Shqipëria karakterizohet nga shumë vende të bukura dhe përrallore, por që i penalizon infrastruktura. Në vendin tonë nuk është vetëm “Syri i Kaltër” apo “Thethi”, por ndodhet edhe kjo ujëvarë kaq e mrekullueshme. Disa mund të mendojnë se ndodhet në Amazonë apo i ngjan ujëvarave më të magjishme në Europë, por mund ta vizitoni në qytetin e ngurtë të Gjirokastrës. Një ndër destinacionet më të preferuara është Ujëvara e Selckës e cila ndodhet ne “Grykën e Selckës”.
Gryka e Selckës, me gjatësi rreth 6 km, është një Monument Natyre në Shqipëri dhe ndodhet përgjatë sektorit të mesëm të luginës së Suhës, atje ku kjo luginë ndërpret tërthor dhe ndan vargmalin Lunxhëri-Bureto. Në disa sektorë Gryka ngushtohet shumë, dhe merr formën e kanionit. Aty ndodhet dhe nje ujëvarë magjepsëse.
Fshati është i vogël, piktoresk dhe përveç bukurisë natyrore, ka edhe banesa të ruajtura mirë, kroje me arkitekturë interesante dhe dy kisha.
Në fshat ndodhet kisha e Shën Kollit (St. Nicholas), e fundit të shek. XVII, ku ndodhet edhe varreza e fshatit. Kisha e ruajtur mjaft mirë ka arkitekturë elegante ku spikat kambanarja madhështore. Në brendësi ruhen mjaft mirë afresket dhe një pjesë e ikonostasit prej druri të gdhendur e të praruar me mjaft vlera.
Në fshat ka edhe një çesmë (krua) të përfshirë brenda një strukture me harqe dhe të mbuluar me kupolë.
Mbi fshat ndodhet kisha e Shën Premtes (St. Parasceve) më e vonë se e para. Nga oborri i kësaj kishe ka një pamje të bukur mbi fshatin dhe grykën e Selckës. Kisha është e thjesht nga jashtë, por brendësia e saj spikat për hijeshinë me ikonostasin shumë të bukur, fronin e peshkopit dhe ambonin, të gjitha të gdhendura në dru e pjesërisht të praruara. Edhe kapitelet e kolonave të dekoruara me stuko kontribuojnë në pasurimin e dekorit të brendshëm.
Përfundimisht ky është një destinacion fantastik për vizitorët që preferojnë këtë luginë.
/Priza.al/