Një numër i madh armësh naziste me vlerë 2.5 milionë paundë është gjetur në shtëpinë e një burri të dyshuar për pedofili në Rio De Janeiro, Brazil. 58-vjeçari i identifikuar si Aylson Proenca Doyle Linhares, u arrestua të martën pasi prindërit në lagjen ku ai banonte e denoncuan atë për ngacmim seksual ndaj djalit të tyre 12-vjeçar. Policia civile e Rio -s tha se zbuloi më shumë se 1.000 artikuj në shtëpinë e Linhares, përfshirë uniformat naziste, revistat periodike, pikturat, shenjat naziste, imazhet e Adolf Hitlerit, flamujt dhe medaljet e Rajhut të Tretë.
Ata gjithashtu gjetën armë dhe municion të Luftës së Dytë Botërore, së bashku me një dokument identifikimi nazist me të dhënat personale të Linhares. Armët u zbuluan pasi policia shkoi në shtëpinë e tij për ta arrestuar pasi akuzohej se kishte përdhunuar me një të mitur dhe se kishte abuzuar me disa fëmijë të tjerë në rajonin Vargem Grande.
Linhares u akuzua për posedim të paligjshëm të armëve, diskriminim racor dhe pedofili, pasi policia gjeti edhe fotografi të të miturve në pronën e tij sipas Luis Armond, detektivit kryesor përgjegjës për rastin. Armond e përshkroi Linhares si një psikopat dhe vlerësoi se koleksioni i tij tronditës, për të cilin policia tha se përmbante ‘materiale monstruoze’, vlente disa miliona euro. Policia e Rio-s tani po heton lidhjen e të dyshuarit me nazistët dhe grupet e tjera të ekstremit të djathtë.
Në muajt e fundit të Luftës së Dytë Botërore dhe në vitet pas luftës, mijëra nazistë mendohet se kanë ikur në Amerikën e Jugut për të shpëtuar nga dalja para drejtësisë pas rënies së Rajhut të Tretë.
Sipas dokumenteve, rreth 9,000 kriminelë lufte u arratisën në Amerikën e Jugut, përfshirë kroatë, ukrainas, rusë dhe evropianë të tjerë perëndimorë që ndihmuan makinën vrasëse naziste. Rreth 5,000 shkuan në Argjentinë; midis 1,500 dhe 2,000 mendohet se kanë arritur në Brazil; rreth 500 deri në 1.000 në Kili; dhe pjesa tjetër në Paraguaj dhe Uruguaj.
Por shumë njerëz besojnë se numri i vërtetë i nazistëve që u arratisën në Amerikën e Jugut është në fakt shumë më i madh. Disa nazistë famëkeq si Adolf Eichmann, një nga arkitektët e Holokaustit, gjithashtu u arratisën në Amerikën e Jugut. Ai jetoi me një pseudonim derisa u kap nga agjentët e inteligjencës izraelite në Buenos Aires në vitin 1960. Më vonë u ekzekutua.
Burimi:DailyMail/Përshtati:Priza.al/