Policia në Belgjikë bëri 65 arrestime gjatë një operacioni të paprecedent kundër krimit të organizuar, pasi hetuesit deshifruan komunikimet e koduara në rrjetin popullor `Sky` të përdorur nga kriminelët.
Prokurorët belgë deklaruan se hetuesit deshifruan rreth 1 miliard mesazhe të koduara në shërbimin ‘Sky ECC’ në dy vjet hetime, që çuan në sekuestrimin e mbi 17 tonelatave kokainë, dhe shkatërrimin e një grupi kriminal me shqiptarë në Belgjikë, që merrej me prodhimin dhe shitjen e lëndës narkotike.
Policia ka bastisur rreth 130 banesa të sigurta, ku dhe është habitur nga ato që ka gjetur brenda banesave të kokainës. Ata ngjanin si një kasafortë banke, me qindra mijëra euro të fshehura cepave.
Prokurorët thanë se telefonat inteligjentë të pajisur me aplikacionin SKY ECC, por me funksione mikrofoni dhe GPS të hequr, ishin shpërndarë në të gjithë qytetin për ata brenda rrjetit të njerëzve që dyshohet se punonin për narko-bandat.
Në të gjithë botën, janë regjistruar 171,000 pajisje SKY ECC, kryesisht në Evropë, Amerikën e Veriut, një numër vendesh në Amerikën Qendrore dhe Jugore kryesisht Kolumbi dhe në Lindjen e Mesme. Por, në mënyrë të habitshme, 25% e përdoruesve aktivë të këtyre pajisjeve janë të vendosura në Belgjikë (6,000) dhe Holandë (12,000), dhe gjysma e tyre u tha se ishin në përdorim në rrethinën e portit Anversë.
Operacionet janë përshëndetur si një goditje e fuqishme kundër asaj që prokurori federal belg Frédéric Van Leeuw e quan “një botë ku morali është zhdukur plotësisht“, por operacioni Sky ka theksuar gjithashtu një zhvillim tronditës. Evropa ka eklipsuar SHBA si tregun e favorizuar të karteleve kolumbiane, për shkak të çmimeve më të larta dhe rreziqeve shumë më të ulëta që paraqesin qeveritë evropiane në drejtim të ndalimit, ekstradimit dhe sekuestrimit të pasurive.
Jeremy McDermott, një ish-oficer i ushtrisë britanike, i cili tani është drejtor ekzekutiv i organizatës InSight Crime, tha se një kilogram kokainë në SHBA vlen deri në 28,000 dollarë me shumicë, ndërsa ky çmim shkon mesatarisht deri në 40,000 USD në Evropë, dhe gati 80,000 USD në disa pjesë të kontinentit.
Metodat e operacionit në portet kryesore të Evropës, ku kriminelët holandezë dhe ata belgë janë nënkontraktuar nga kolumbianët për të zhvendosur produktin e tyre në rrjetet e krimit të organizuar italian, shqiptar, britanik dhe irlandez, po sjellin një nivel korrupsioni dhe dhune të paparë kurrë më parë në këtë pjesë të botës.
/Burimi: Brussels Times/ Përshtati: Priza.al/