FOTO/ ‘Rruga e Arbrit’ bie serish. Gjoka ndërton, Gjoka kontrollon, Gjoka miraton. Skandali vijon  

“Rruga e Arbrit” vepra më e madhe infrastrukturore e dy mandateve të qeverisë socialiste, ende nuk sheh dritën e përfundimit dhe punimet e saj janë ende shumë prapa.

Shkak për këtë nuk është mungesa e parave që ka qenë e konsiderueshme, por mungesa e eksperiencës të firmës që e ka marrë përsipër ndërtimin e kësaj vepre.

Kompania “Gjoka Konstruksion” e ndërtuesit Rrok Gjoka, një prej të preferuarve të kryeministrit Rama, duket se ka dështuar totalisht me projektin më të madh infrastrukturor të 8 viteve të fundit.

Shumë segmente të kësaj vepre nuk po arrijnë që të lidhen me njëri-tjetrin dhe shkak për këtë janë bërë jo vetëm cilësia e punimeve, por edhe terreni dhe projekti i rrugës.

Në ditët e kaluara, “Priza.al” ka prezantuar disa prej projekteve më të rëndësishme që ka marrë përsipër kompania “Gjoka Konstruksion”, të cilat duket se janë dhënë me shumë bujari nga qeveria.

Por urat në projektin e “Rrugës së Kombit” edhe tuneli, kanë treguar kohët e fundit se janë një pikë kritike për aktivitetin e kompanisë. Pas rrëshqitjes së tabanit të galerisë disa herë gjatë vitit të kaluar, gjë e cila u mundua që të mbahej sekret, kompania “Gjoka” hasi probleme edhe me rrëshqitjet masive të transes së rrugës në shumë segmente.

“Gjoka Konstruksion” gjatë vitit 2019 i ndodhën dy incidente në projektin e “Rrugës së Arbrit”, në 31 maj të vitit 2019 dhe në 1 qershor të po këtij viti.

Ndërkohë po atë vit “Gjoka Construction”, u skualifikua nga ARRSH-ja për tenderin e rrugës Kardhiq-Delvinë.

Si luante “Gjoka Konstruksion” me nënkontraktorët

Skandali me këtë kompani thellohet më shumë për shkak se për të realizuar një pjesë të ndërtimeve në “përmirësimin, ndërtim operimin dhe mirëmbajtjen e rrugës së Arbrit” segmenti numër 3, Zall Bastar Dalje-Ura e Vashës si dhe segmenti Ura e Cerenecit- Bllatë, kompania “Gjoka Konstruksion” me administrator Rrok Gjokën, lidhi një kontratë nënkontraktore me shoqërinë e djalit të tij, “Gjoka 87”, me administrator Erind Gjokën, çka përbën një konflikt të hapur interesi.

Ajo që përbën çudinë më të madhe është fakti se, në këtë kontratë sipërmarrës rezulton shoqëria “Gjoka 87” dhe nënsipermarrës “Gjoka konstruksion”, pavarësisht se tenderin për “Rrugën e Arbrit” e ka fituar kjo e fundit.

Konkretisht kompania “Gjoka 87” ka vlerësuar si punime të kryera me cilësi të mirë, punimet e realizuara nga shoqëria e babait të tij. Kolaudimi i punimeve është kryer nga shoqëria “IKN shpk”, ndërsa mbikëqyrës i punimeve ka qenë shoqëria “GR Albania shpk” dhe “Gauff gmbh& CO enginering kg”.

Këto punime janë kolauduar nga datë 27 maj 2019 dhe konsistojnë në realizimin e dy urave dhe tre tuneleve, që sipas ARRSH-së, janë të papërfunduara. Çmimi total i kontratës nuk është përcaktuar me shifra të sakta, por theksohet se kjo shifër nuk duhet të kaloje vlerën totale të 5 miliardë e 133 mijë lekëve.

Si ranë muret mbajtës në segmente të ndryshme

“Rruga e Arbrit” është një rrugë në ndërtim e sipër, e cila do të lidhë Tiranën me Dibrën në Maqedoni, me një gjatësi prej rreth 75 kilometra dhe do të shkurtojë distancën mes Tiranës dhe Peshkopisë, projekt që parashikohet të përfundojë i gjithi këtë vit.

Por në një kohë që qeveria pret të presë shiritin e kësaj rruge këtë, ose të paktën të disa prej veprave të artit më të rëndësishme të këtij investimi strategjik, duket se fundi i veprës është shumë larg.

Ndërkohë shumë qytetarë që kanë kaluar në kantierin e kësaj vepre, kanë sjellë foto në rrjetet sociale, ku shihen qartë jo vetëm punime të papërfunduara, por edhe segmente dhe murre mbajtëse të shembura si pasojë e rrëshqitjes së dherave në shpatet malore.

Ndërkohë kompania “Gjoka” është akuzuar edhe nga ish-drejtuesit e ARRSH-së, se nuk ka kryer punimet për të cilat është paguar, duke nënkuptuar kryerjen e punimeve me cilësi shumë të ulët në një vepër që ndër të tjera kërkon punime me cilësi të lartë për vet terrenin ku ngrihet ajo.

Pamjet në foto, që “Priza.al” ka siguruar nga lexuesit e saj, tregojnë fare qartë për cilësinë e dobët të punimeve dhe shembjet e ndodhura në këtë vepër.

Vijon…./Priza.al/

Ky artikull është ekskluziv i “Priza.al”, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Priza.al” dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *