Një zyrtar i lartë i Kremlinit ka paralajmëruar se nëse Rusia detyrohet të mbrojë qytetarët e saj në rajonin e Donbass, ky do të ishte fillimi i fundit të Ukrainës. Tensionet në Ukrainën lindore janë rritur javët e fundit, pasi Vladimir Putin dërgoi në këtë zonë tanke, helikopterë dhe mijëra trupa në kufirin ukrainas. Putin insiston se prezenca e paisjeve ushtarake afër kufirit është për arsye mbrojtje, dhe se stërvitjet e ardhshme janë pjesë e inspektimeve rutinë dhe gatishmërisë ushtarake.
Nga ana tjetër, nënkryetari i administratës presidenciale të Rusisë, Dmitry Kozak, lëshoi një paralajmërim ditën e enjte duke thënë se fillimi i veprimit ushtarak do të ishte fillimi i fundit të Ukrainës. Kozak këmbënguli se Rusia nuk do të veprojë nëse Ukraina nuk sulmon e para, por tha se çdo veprim ushtarak nga Moska do të ishte “plumb në ballë” për Ukrainën.
Ndërsa tensionet u rritën, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy udhëtoi për në Donbass dhe takoi ushtarët përgjatë kufirit me Rusinë. E gjendur përballë kësaj situate, SHBA po shqyrton mundësinë e zhvendosjes së anijeve të saj në Detin e Zi, në shenjë mbështetje ndaj Ukrainës. Për të bërë këtë, Biden duhet të kërkojë leje nga Turqia për lëvizjen, sepse ajo kontrollon ngushticën që siguron daljen në det, sipas një traktati të firmosur ne vitin 1936.
SHBA ka dërguar disa avionë për të monitoruar aktivitetin rus. Kozak u pyet nëse Rusia do të mbronte qytetarët e saj në Ukrainën lindore. Ai përmendi Srebrenicën, ku rreth 8000 burra dhe djem myslimanë u vranë nga forcat serbe të Bosnjës, gjatë luftës së Bosnjës në vitet 1992-1995. “Gjithçka varet nga shkalla e zjarrit”, tha ai.
Presidenti Putin ka bërë më parë një analogji, duke e krahasuar situatën aktuale me një “Srebrenica të dytë”. Në një telefonatë të zhvilluar me kancelaren gjermane Angela Merkel, Putin e akuzoi Ukrainën për veprime provokuese. Në rajonin e Voronezh, i cili kufizohet me Ukrainën, ndodhet një sistem raketash Buk mes frikës se Moska mund të jetë duke grumbulluar një forcë të aftë për pushtim. Pamjet e reja satelitore kanë zbuluar gjithashtu një kamp fushor të forcave ruse në të njëjtin rajon ku u pa BUK. Merkel e këshilloi Putin-in të tërhiqte forcat e tij nga kufiri lindor i Ukrainës, mes përshkallëzimit të dhunës përgjatë kufirit.
Përshtati: Priza.al/Burimi: DailyMail