Presidenti amerikan, Joe Biden, deklaroi në konferencën e parë për shtyp të mërkurën se ai beson se Rusia do të ndërmarrë një sulm në Ukrainë.
Ai theksoi se, në rast të një pushtimi të Ukrainës, do ketë sanksione shumë të rënda ndaj Rusisë.
Por ai i befasoi të gjithë kur tha se, një “inkursion i vogël” rus mund të marrë një përgjigje më të butë.
Ashtu siç pritej, deklarata e Biden ka tërbuar zyrtarët në Ukrainë.
Një zyrtar i këtij vendi, duke folur për CNN pas një konference për shtyp, tha se: “Ky qëndrim potencialisht i hap dritën jeshile Putinit për të hyrë në Ukrainë, sipas qejfit të tij”.
Edhe BBC në një analizë shkruan se, kjo deklaratë ka ngritur pikëpyetje nëse Biden po i jep lejen Putinit për një inkursion të mundshëm.
Më tej, BBC thekson se, aleatët e NATO-s janë zemëruar për shkak se, Biden foli hapur për dallimet mes aleatëve të NATO-s në lidhje me këtë çështje.
Disa orë përpara deklaratës së Biden, presidenti francez, Emmanuel Macron, tha në Parlamentin Europian se, europianët duhet të kryejnë dialogun e tyre me Moskën.
Sipas raportimeve perëndimore, trupave ushtarake ruse u është thënë se, do të qëndrojnë për “nëntë muaj” larg familjeve pas zhvendosjes strategjike mijëra kilometra nga lindja e vendit në perëndim.
Imazhet satelitore të 19 janarit tregonin “grupet e betejës” të dislokuara në bazën e Voronezh, 300km larg Ukrainës, me rreshta tankesh e topash artilerie, gjithashtu të akumuluara në bazën e Yelnya, 125km nga kufiri rus me Ukrainën.
Të tjera imazhe tregonin pajisjet në dy bazat Klintsky dhe Klimovo, vetëm 30km larg kufirit me Bjellorusinë dhe rreth 50km nga kufiri rus me Ukrainën.
Rreth 150,000 trupa besohet se janë mobilizuar së bashku me trena tankesh dhe mjetesh raketore, pas përshkallëzimit të ditëve të fundit të retorikës dhe tensioneve mes Moskës dhe Perëndimit.
Videot tregojnë mjete raketalëshuese, autoblinda dhe kamionë komunikimesh që transportoheshin në bazat bjelloruse Gomel dhe Rechitsa, të dyja rreth 60km nga kufiri me Ukrainën.
Presidenti Biden tha dje se, lideri rus “do të bëjë diçka” por nuk beson se, Putin do të kërkojë luftë të hapur pasi sipas Biden, nëse e bën “do ta paguajë shtrenjtë”.
“Ai do të bëjë diçka… po përpiqet të gjejë vendin e tij mes Kinës dhe Perëndimit”,- tha Biden disa orë pas njoftimit për $200 milionë të tjera ndihmë ushtarake për Ukrainën.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, denoncoi dje komentet e Biden duke fajësuar SHBA-të për destabilizimin e situatës, por nuk përjashtoi mundësinë e bisedimeve të reja të sigurisë mes Putin e Biden.
Një karvan raketalëshuesesh ruse “BM-27”, 220mm dhe mjetet e tyre ngarkuese mbërritën të hënën në bazën e Gomel-it nga Siberia lindore.
/Burimi: Daily Mail/Përshtati: Priza.al/