Ndërtimi i një termocentrali të ri mund të fillojë në vitin 2026, me Pekinin që shpreson të plotësojë rezervat e tij të ulëta të uraniumit duke nxjerrë metalin radioaktiv nga oqeani. Kina ka njoftuar se synon të ndërtojë një termocentral të aftë për të nxjerrë uraniumin nga oqeani, duke rritur frikën për një luftë të re bërthamore.
Akadamia kineze e fizikës inxhinierike, e cila mbikëqyr zhvillimin e armëve bërthamore tha se ndërtimi pritet të nisë në vitin 2026. Sapo ajo të përfundojë, uzina do të jetë në gjendje të nxjerrë nga uji i detit disa tonë uraniumi. Kina ka mungesë të uraniumit dhe ka vetëm 170,000 ton, më pak se Franca. Nëse Kinës do t’i mbaronte uraniumi plotësisht, superfuqia do të varej nga importet e huaja të karburantit, në zinxhirin global që po bëhet akoma dhe më i çrregullt nga tensionet ndërkombëtare. Sigurimi i uraniumit është një pengesë kryesore për planin e Kinës për t’u bërë prodhuesi më i madh i energjisë bërthamore në botë deri në vitin 2030. Nëse Kina arrin të marrë metalin radioaktiv nga oqeani, ajo do të kishte një furnizim të madh me këtë lëndë.
“Industria bërthamore është një industri strategjike e teknologjisë së lartë, një gur themeli i rëndësishëm i sigurisë kombëtare”, tha Cao Shudong, menaxher i përgjithshëm i Korporatës Kombëtare Bërthamore të Kinës.
Detajet teknike në lidhje me impiantin e nxjerrjes ende nuk janë bërë publike, por nxjerrja e uraniumit nga uji i detit pritet të bëhet një formë e vlefshme e zhvillimit të energjisë bërthamore. Ky metal është shumë i vështirë për tu nxjerrë. Në vitin 2018, studiuesit në Laboratorin Kombëtar të Pacific Northwest në SHBA ishin në gjendje të nxirrnin uranium të mjaftueshëm nga uji i detit për të bërë pesë gram ‘tortë të verdhë’, pluhur metali që përdoret për të bërë karburant për termocentralet bërthamore.
“Ky është një moment historik domethënës,” tha studiuesi Gary Gill në atë kohë. “Kjo tregon se kjo qasje përfundimisht mund të sigurojë karburant nga oqeanet, burimi më i madh i uraniumit në Tokë.”
Kina aktualisht ka 49 reaktorë bërthamorë në veprim me një kapacitet prej 47.5 GW, i treti pas Shteteve të Bashkuara dhe Francës, me 17 të tjerë në ndërtim e sipër me një kapacitet prej 18.5 GW. Ndërsa tensionet me fuqitë e tjera botërore si SHBA përshkallëzohen pas pandemisë së koronavirusit, lajmet për aftësitë e reja të mundshme bërthamore të Kinës janë pritur me frikë nga ekspertët e mbrojtjes.
Shefi ushtarak amerikan, Admirali Charles Richard paralajmëroi se lufta bërthamore me Kinën ose Rusinë është bërë një “mundësi shumë reale”, me të dy vendet që sfidojnë paqen globale “në mënyra që nuk janë parë që nga kulmi i Luftës së Ftohtë”. Ndërkohë Hugh White, profesor i studimeve strategjike në Universitetin Kombëtar Australian, pretendon se rritja e vendosmërisë së Kinës mund të detyrojë vendet e tjera të fillojnë “luftën më të madhe që bota ka parë që nga viti 1945”.
/Përshtati:Priza.al/Burimi:DailyStar