Shkelmimi, keqtrajtimi dhe vrasja e qenve endacakë në ambiente publike janë disa nga abuzimet të cilat shpërfaqin raportin jo-njerëzor njeri-kafshë në Shqipëri.
Ne nuk mund të jemi më vendi pa standarde ku njerëzit me probleme psikike të abuzojnë me qeniet pa gojë, kafshët e dashura që veç na ndihmojnë e zbukurojnë jetën tonë. Siç ka thënë edhe lideri i shquar i Lëvizjes Indiane për Pavarësi, Mahatma Ghandhi, madhështia e një kombi gjykohet nga mënyra se si i trajton kafshët.
Mungesa e legjislacionit në lidhje me masakrimin e kafshëve është një shenjë shumë e rëndësishme për nivelin e civilizimit të një vendi dhe konkretisht përgjegjësisë së munguar të shtetarëve tanë për t’iu përgjigjur kërkesave të vazhdueshme të shoqërisë civile, aktivistëve dhe shoqatave për mbrojtjen e kafshëve.
Teksa nuk gjejnë mënyra se si të kujdesen për kafshët, përveç faktit që i braktisën tani kanë gjetur mënyrë si ti zhdukin edhe nga sipërfaqja e tokës.
Në Tiranë dhe Kuçovë janë hedhur salçiçe me helm nëpër rrugë për të helmuar qentë endacakë. Sipas disa shoqatave, kanë ngordhur disa qenushë në zonat e ‘Liqenit Artificial’, ‘Vasil Shanto’, ’21 Dhjetori’ dhe në zona të tjera të njohura në kryeqytet.
Sipas informacioneve kjo problematikë nuk është shfaqur vetëm në Tiranë, por edhe në disa qytete të tjera. Përmes një postimi në Instragram “ARSA Albania” ka publikuar disa video rrëqethëse, ku disa qenushë që kanë konsumuar salçiçet me helm si pasojë kanë filluar të dridhen dhe të nxjerrin shkumë nga goja. Sipas shoqatave, ‘në të gjithë qytetin e Kuçovës janë hedhur sasi të mëdha me salçiçe të helmuara’.
Por jo të gjithë zgjedhin të heshtin përpara kësaj masakre që na shohin sytë çdo ditë. Pas reagimeve të shumta, ‘Priza.al’ ka mësuar se të shtunën në datën 5 qeshor në orën 17:30 në Vlorë do të organizohet një marshim për të mbrojtur kafshët.
Nën logon “Marshim së bashku më 4putroshët tanë” dhe “Stop helmimit dhe vrasjes së tyre” do të kërkojnë që të bëhet drejtësi dhe të mos ndodhin më raste të tilla.
Ndërkohë kujtojmë se disa javë më parë keqtrajtimi i qenve endacakë nxiti disa protesta të njëpasnjëshme në vendin tonë, nga qytetarët që mbrojnë të drejtat e kafshëve.
/Priza.al/