Ai është i suksesshëm në biznesin e tij dhe ka bërë para me produktet e kompanisë që sjell nga Perëndimi në Shqipëri.
Ndaj dhe për këtë, por edhe për të shijuar jo vetëm paratë por dhe një jetë të mirë dhe cilësore, ai ka zgjedhur që t’i qëndrojë larg kryeqytetit për të jetuar në një prej fshatrave të Tiranës.
Pikërisht aty ku ajri është i pa ndotur nga smogu i trafikut, ku zhurmave të borive dhe makinave u’a zënë vendin çdo mëngjes cicërimat e zogjve, kakarisjet e pulave dhe gjelave, si dhe çdo mbrëmje melodia e bulkthit, aty ka zgjedhur ai të jetojë.
E për ti shtuar bukurisë së natyrës një përshtatje komode, ky biznesmen nga Tirana ka ngritur në katund një vilë të mrekullueshme, sa moderne aq dhe luksoze por aspak të ekzagjeruar në kate dhe lartësi.
“Priza.al” sjell sot fotot ekskluzive të kësaj banese, që nuk i përket as një politikani dhe as një oligarku, por një njeriu të zot në punë dhe plot gusto dhe shije në jetë.
Në pamje të parë vila e tij të jep përshtypjen e një grumbulli godinash pa rregull, por arkitekti që ai ka zgjedhur dhe më pas aredimi që i ka bërë shtëpisë me shija dhe pasion, të bën që të ëndërrosh.
Kjo shtëpi dy katëshe por me hapësira dhe tavane të larta, është e ndërthurur më së miri me pajisjet më bashkëkohore gërshetuar me ato më klasike.
Vila ka 4 dhoma gjumi dhe 4 banja, një sauna, një kuzhinë të madhe bashkëngjitur me sallën e ngrënies. Një dhomë ndenjjeje, studio pune, pishinë, depo, garazh të brendshëm dhe elemente të tjerë si verandë dhe ballkone në harmoni me arkitekturën.
Dyert e drurit, janë ndërthurur bukur me dyshemenë dhe shkallët e mermerit, vetratat dhe perdet e brendshme japin dritë ose hije sipas rastit në shumë anë në vend të mureve. Po ashtu dhe dyert rrëshqitëse që ndajnë dhe bashkojnë ambientet janë një stil sa praktik aq edhe komod.
Vila ka impiant qendror ngrohjeje dhe ftohje, ujë 24 orë, sistem vëzhgimi me kamera dhe alarm, si dhe një impiant modern elektriciteti.
Një vilë e këtij stili, i ngjason vilave të stërmëdha të ish-Bllokut që shërbenin për nomeklaturën komuniste. Por këtë supervilë të stilit gjerman, edhe vetë ish-diktatori Enver Hoxha do ta kishte pasur zili.
/Priza.al/