Një avion spiunimi amerikan është pikasur javën e kaluar në një bazë ajrore britanike, prej dhe nga u nis për të monitoruar situatën në kufirin mes Rusisë dhe Ukrainës. Ky ishte ndoshta një prej momenteve më të tensionuara të konfliktit mes këtyre dy vendeve, me raportime për rreshtimin e mbi 100 mijë trupave në kufi, si dhe vendosjen e anijeve luftarake në Detin e Zi.
Avioni i quajtur “Lockheed U-2”, por i pagëzuar “Dragonjëza”, sipas emrit të koduar të përdorur nga CIA për të, u nis me 16 prill nga baza ajrore Fairford në Britani, drejt Ukrainës.
Avioni është parë shpesh në ishull gjatë javëve të fundit, por si Ministria britanike e Mbrojtjes, po ashtu edhe Forcat Ajrore Amerikane nuk kanë dhënë komente mbi praninë e tij aty. Avionët “Lockheed U-2” janë përdorur më parë në konfliktet në Afganistan dhe Irak. Ata nisën të përdoreshin nga CIA që në vitin 1955 gjatë Luftës së Ftohtë, dhe kanë kryer misione top-sekrete në Bashkimin Sovjetik, Kinë, Vietnam dhe Kubë, duke shërbyer për mbi 50 vite në ushtrinë amerikane.