Siguria në burgje në dorë të familjarëve dhe lidhjeve të Agim Ismailit
Pas publikimit nga ana jonë të artikulli: “Një profil i paautorizuar i Agim Ismailit”, dhjetëra mesazhe mbërritën në inboxin e redaksisë, e po ashtu edhe në numrin e telefonit që kemi vënë në dispozicion të lexuesve tanë.
Në morinë e ankesave dhe denoncimeve, spikati pikërisht mesazhi i një punonjëseje të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.
Zonja, të cilës do t’i ruhet anonimati nga ana jonë, denoncon drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve për një emërim specifik.
Bëhet fjalë për shtetasen Eni Lani, e cila sipas denoncueses ka punuar vetëm 3 ditë si roje kupole, më pas drejtori Agim Ismaili, e kaloi të komanduar në Drejtorinë e Përgjithshme, e më pas në datën 1 qershor, e emëroi oficere e fill pas kësaj, pa asnjë eksperiencë e gradoi si Shefe të rrethimit të jashtëm në IEVP “Mine Peza” ose “Burgu 302” në Tiranë.
Nëse dje folëm për abuzimet me fondet publike nga ana e drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, Agim Ismaili, për të cilin KLSH ka rekomanduar “shkarkim nga detyra”, sot do flasim për një tjetër lloj abuzimi. Ndoshta dhe më të rëndë se abuzimi ekonomik.
Është abuzimi me emërimet, pra me burimet njerëzore. Agim Ismaili duke mos e pasur ndoshta të qartë faktin se institucioni që ai drejton është çështje e Sigurisë Kombëtare, ka menduar që pikat kyçe të ketë nën kontroll nëpërmjet njerëzve të tij.
Kështu psh., një oficer i lartë në hierarkinë e policisë së burgjeve, denoncon se drejtori i Policisë së Burgjeve, shtetasi Aurel Jazxhi, është emëruar në atë detyrë si lidhje farefisnore e Agim Ismailit, i cili njëkohësisht e ka komanduar edhe si drejtor i DAP në Drejtorinë e Përgjithshme.
Po ashtu, i pa emëruar por thjesht i komanduar është edhe Drejtori i Forcës Operacionale.
Tentativa e arratisë nga dy të burgosur që sot i buzëqeshnin kamerave nga kafazi i gjykatës, nuk është thjesht dhe vetëm “ëndrra për liri” e dy personave që janë të privuar.
Është një varg abuzimi dhe tolerimi nga ana e Agim Ismailit, që nis me futjen e sendeve të ndaluara në qeli, e deri tek mos transferimi i personave që tentuan arratinë. Çdo drejtor i mëparshëm i këtij institucioni, për çdo konflikt e deri tek tentativat për arrati si masë e parë kanë transferuar personat e përfshirë drejt burgjeve të tjera. Por Agim Ismaili nuk e bëri këtë në rastin e Arbër Çekajt. Përse?
Situata në burgje është alarmante. Specialistët janë zëvendësuar me tarafin e Agim Ismailit, këtij që vetëshpallet si njeriu i Ed Ramës dhe i amerikanëve, por që sistemin e burgjeve ku janë të punësuar mbi 4500 persona e që vuajnë dënimin mbi 7000 të tjerë po e menaxhon si në vendet e botës së tretë.
/Priza.al/
Ky artikull është ekskluziv i “Priza.al”, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Priza.al” dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016