Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka dalë në një deklaratë për mediat ditën e sotme.
I pyetur nga gazetarët për foton e publikuar me Agron Nezën, Meta tha se ajo është një foto e bërë para 10 vitesh.
“Mund t’ju them me shumë kënaqësi dhe transparencë se nuk jam unë që e kam akuzuar z. Rama për McGonigal por akuza nga drejtësia amerikane ku ai përmendet 14 herë. Janë mediat më të mëdha të SHBA dhe në botë që kanë raportuar qartë që kjo ka qenë një aferrë korruptive dhe që kjo aferë korruptive është udhëhequr nga Edi Rama për ndikim të paligjshëm për të goditur opozitën në Shqipëri. Kjo është mëse e qartë.
Çdo foto që ka me mua, çdo njeri në Republikën e Shqipërisë është i lirë ta publikojë. Është foto e 10 viteve më parë. Ka edhe përfaqësues diplomatik. A është Rossini aty? Nuk e di. Kur më ftojnë unë nuk i pyes kë marrim me vete. Se kush është Rossini unë e di për shkak të angazhimit të tij pro Ramës, që e akuzonte Berishën si njeri të Putinit. Sa i takon z. Neza njohja ime me të është e vjetër për arsye se të ndjerin vëllain e tij Agim Neza ka qenë njeri shumë i afërt i imi, ka qenë zëdhënësi im. Kemi pasur marrëdhënie shoqërore dhe njerëzorë. Por asnjëherë nuk i kam kërkuar asnjë favor”, tha Meta.