Një autobus i vjetër i prodhimit çek model “Skoda 706 RTO Karosa” i viteve ’70, që me gjasë përdorej për rrugët e vështira të Shqipërisë në ato vite dhe që sot është zhdukur “pa nam e nishan”, befas del se është bërë “shtëpi”.
Në fakt “shtëpi” apo kotec pulash me një çati përsipër me tjegulla, këtë nuk mund ta themi me saktësi. Por kjo foto ka ardhur në redaksinë e “Priza.al” nga një lexues.
Ai thotë se foto është shkrepur në një prej fshatrave të Korçës, pa e specifikuar se në cilin. Aty shikohet se autobusi i vjetër është shëndruar nga një mjet stoik i dikurshëm, në një barakë për një qëllim krejt të ndryshëm nga ai që ka pasur.
Mjetit të vjetër, i janë hequr gomat, por ngjyra e tij e verdhë që është shpëlarë nga shiu i viteve dhe nga dielli, ende dallohet.
Fshatari që e ka në posedim, dhe që i ka vendosur edhe çati mbi kabinë, me gjasë ka pasur për qëllim që vjetërsirën ta kthejë në një objekt që mund ti hyjë në punë.
E dimë mirë që në zonat e Korçës popullsia mbahet për nikoqire, por një shembull i tillë nuk ishte hasur më parë.
/Priza.al/
Ky artikull është ekskluziv i “Priza.al”, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Priza.al” dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016