Që në Kukës ka shumë demokratë, kjo nuk përbën një lajm. Madje që aty ka edhe shumë mbështetës të Sali Berishës, as kjo nuk mund të vihet në dyshim.
Por që në Kukës të ketë edhe mbështetës apo qoftë simpatizantë të Partisë Konservatore, apo edhe vetëm ithtarë të kryetarit Kujtim Gjuzi, atëherë kjo gjë ha debat… Por me siguri kjo ka lidhje me aspiratën e madhe dhe dëshirën që kuksianët kanë për një shtet konservator si Britania e Madhe.
E pra, pikërisht kur dje në Kukës shumë media po ngrënin pyetjen se për kë po binin “tupanat” në qendër të Kukësit, madje shumë e konsideruan atë veprim se ato po “binin për kryeministrin Edi Rama”, u gjend edhe shkaku i vërtetë dhe “enigma” u zgjidh.
Kuksianët kanë pritur me daulle e tupana jo vetëm ish-liderin e PD-së, Sali Berisha, por edhe konservatorin Gjuzi, i cili njihet dhe mbahet për një admirues të flokut, por edhe sepse ai bashkë me mbështetësit e tij ka vendosur që t’i “forcojë” krahët Berishës.
Si, nuk e besoni?? Në këtë foto që tashmë po qarkullon në rrjet, dhe që lexues të “Priza.al” e kanë sjellë edhe në profilet tona sociale, shikohet qartë mu në qendër të Kukësit dje pasdite Kreu i Konservatorëve, Kujtim Gjuzi, me disa mbështetës të tij, që ka bërë një foto përpara se të niste “Foltorja” e Berishës.
Çdo gjë mund të ndodhë… Përderisa “Foltores” ju bashkua në Shkodër edhe ish-aleati i Bashës, Nard Ndoka, pse Kujtim Gjuzi nuk paska të drejtë të jetë pjesë e saj? Mos e futi gjë Basha si deputet në listat e sigurta??
Por në këtë foto, Gjuzi përveç se ka pozuar me mbështetësit e tij, ka dhënë edhe një mesazh të fortë duke përshëndetur me dy gishta, shenjë që zakonisht e përdor lideri historik i demokratëve Berisha.
Të ketë nisur Gjuzi të kopjojë Berishën? Apo mos vallë duke përdorur këtë simbol, ai mendon se mund të nxis edhe simpatinë e demokratëve karshi figurës së tij…?
Por “gojët e liga” shkojnë edhe më tej duke aluduar se pas suksesit të “Foltores”, mbledhjes së kongresit të demokratëve, rënies së Bashës dhe “rilindjes” apo “rithemelimit” të PD-së, Berisha nuk do të rimarrë kryesimin e partisë, por do të projektojë një lider të ri.
Të jetë vallë edhe Kujtim Gjuzi një prej aspirantëve? Po diversionet dhe flirtet me Bashën dhe Ramën në Kuvend duke votuar disa prej ligjeve të maxhorancës??
Epo politika ka gjithmonë surpriza… sidomos në Shqipëri!
/Priza.al/