FOTOLAJM/ Ylli Manjani e rrëmben sfurkun… por me vonesë

Vetëm disa ditë përpara zgjedhjeve të 25 prillit, Presidenti i Republikës, Ilir Meta, u kërkoi shqiptarëve që të rrëmbenin sfurqet dhe kosoret, për të qenë gati nëse vota e lirë do të prekej nga qeveria “Rama”.

Por zgjedhjet e 25 prillit u zhvilluan dhe opozita mbeti në opozitë, ndërsa qeveria “Rama” dhe PS-ja morën mandatin e tretë, për herë të parë në historinë 30-vjeçare pluraliste.

Nga ana tjetër PD-ja dhe LSI-ja e drejtuar nga bashkëshortja e Presidentit Meta, i kanë ankimuar zgjedhjet në të paktën 9 qarqe dhe kanë ngritur pretendime në KQZ se ka pasur manipulime dhe blerje votash.

Pra me pak fjalë vota është shitur, blerë, prekur, shtrembëruar dhe manipuluar, por deri tani askush nuk ka marrë sfurkun, as kosoren dhe madje as Presidenti Meta nuk është ndjerë më.

I vetmi që ka zbatuar “urdhrin” e Presidentit ka qenë ish-ministri rebel i LSI-së, Ylli Manjani, por që e ka zbatuar këtë porosi pas si me vonesë.

Ylli Manjani, ish-ministri rebel i drejtësisë në qeverinë “Rama”, gjatë bashkëqeverisjes me LSI-në, është fotografuar këto ditë me një sfurk në dorë.

Fotoja e tij me një sfurk në dorë në ditën e drejtësisë tashmë është bërë virale në rrjetet sociale. Megjithatë nuk dihet nëse ajo është një ironi e zotit Manjani ndaj deklaratave me sfurk apo një ironi me vet sistemin e drejtësisë.

/Priza.al/

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *