Ish-kryeministri i vendit Sali Berisha pasditen e sotme ka zhvilluar foltoren e tij të radhës në Fushë-Krujë. Në fillim të fjalës së tij, Berisha ka falenderuar drejtuesin e degës së Partisë Demokratike në qytet, Agron Loka për mbështetjen e tij.
Gjatë fjalimit të tij Berisha tha se Basha nuk ka bërë asnjë lëvizje më të voglën në momentin që humbi zgjedhjet. Sipas Berishës ai duhet të thërriste protesta por nuk ndërmori asnjë hap.
Fjala e Berishës:
“Ju siguroj, se foltorja apo revolucioni ynë paqësor, ka bërë miq në mbarë Evropën dhe Botën. Ata shohin këtë zhvillim si tepër pozitiv, apo thënë më tepër si të vetmin zhvillim pozitiv të 8 viteve të fundit në Shqipëri. Foltorja e cila së pari ndezi shpresat në zemrat e demokratëve e demokrateve është shtruar sot në dritë shprese në tunelin e zi në të cilin kishin ngujuar narkoshtetin shqiptar, qytetarët e këtij vendi. Foltorja u thërrit nga ndërgjegjja, nga idealet e demokratëve e demokrateve shqiptarë në një moment kritik për vendin e kombin. Në vitin 2013 në Shqipëri u ndërrua pushteti, me votën e qytetarëve shqiptarë u zgjodh një kryeministër tjetër. Ish-kryeministri Sali Berisha njohu zgjedhjet dhe hapi krahun për një gjeneratë të re me besimin e madh se kjo gjeneratë mund të çonte në horizonte të reja opozitën dhe Shqipërinë. Por këto vite ishin vitet si asnjëherë tjetër të Evropës u regjistruan rekordet më të zeza. Në këto vite shqiptarët, në vend që t’u rritej mirëqenia, por këto vite ndodhi e kundërta. Ekonomia shqiptare u la në një borxh 62.6% sot ekonomia shqiptare rrok një borxh rreth 100%. 8 vite ishin 8 vite rrokullisje, ku rrogat u ulën për shkak të inflacionit, e Shqipëria ra në vendin e fundit në Rajon. Shqiptarët kanë braktisur vendin e tyre po aq sa sirianët që ishin në luftë. Në këto 8 vite, shërbimet ndaj tyre degraduan. Epidemia e COVID-it rendoi më shumë se çdo qytetar tjetër të Evropës. Ligjin këto vite e ka marrë në dorë krimi, edhe brenda në Parlament. Me dhjetëra ligje janë votuar, për krimin në parlament që ata të merrnin tendera dhe koncesione. 15 herë, u rritën tenderat sekrete. Përfitues kryesor ishin klanet qeveritare, në kundërshtim me çdo ligj, baxhanaku i kreut të meduzës bënte kërdinë me tendera. Shqipëria u rendit e dyta për korrupsion në botë.
Edi Rama shkelmonte në zgjedhje në zgjedhje votën tuaj. Opozita dështoi. Ju keni kontribuar e sakrifikuar për të ardhur në pushtet, por sakrifikuat për një kryetar që mendon për vete dhe mendonte se si të shkonte në bashkëqeverisje me Edi Ramën. Nëse ka një vendim që e kam penguar, ju garantoj që është vetëm ky vendim. E kam bërë këtë, me ndërgjegjen e thellë se një aleancë me krimin, korrupsionin, do të ishte dita më e zezë për Shqipërinë e shqiptarët. Vota u vodh si asnjëherë tjetër në 2021 dhe kryetari vec që të na thoshte të dilnim në sheshe e të bënim protestat më të rëndësishme, në vend se të nxirrte demokratët në rrugë. Nëse dëgjoni se si është bërë numërimi i votave në pallatin e sportit të Elbasanit, do të ndieni një dhimbje të madhe. Në kohën kur numëruesja jonë fliste emrin e PD, kur dilte votë e saj. Një kriminel në sallë i drejtohet të shkurtoj gjuhën nëse përmend emrin e kësaj partie, e ajo nënshtrohet. Po pse kjo? Sepse ishte bërë kompromis me krimin. Forcat politike nuk bëjnë kurrë kompromis me krimin. Ne do të qëndrojmë fuqishëm, si forcë e ligjit”, tha Berisha.
/Priza.al/