Grupe të mobilizuara serbësh kanë bllokuar pikën kufitare në Jarinjë, në shenjë revole ndaj vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, për të vendosur reciprocitet në targat e automjeteve.
Ata po qëndrojnë në mes të rrugës, edhe pse janë paralajmëruar nga Njësia Speciale “ROSU”, që ta lirojnë atë dhe të rinisë qarkullimi i automjeteve në të dy drejtimet.
Policia po zhvillon kontrolle të detajuara ndaj automjeteve, ku tashmë shumë kamionë janë ndaluar në këtë zonë kufitare. Njësitë e Specializuara të Policisë së Kosovës, janë pozicionuar në zonën kufitare Kosovë-Serbi në Jarinjë, ndërkohë që mediat fqinje raportojnë se, aktualisht kjo pikë kufitare është mbyllur.
Ky vendim pritet të shoqërohet me tensione në pikën kufitare mes Kosovës dhe Serbisë.
Ndërkohë media lokale nga të dyja anët e kufirit, raportojnë edhe për veprimtari grupesh paramilitare, të cilat këto ditë kanë lëvizur të armatosur në fshatrat e Kosovës në kufi me Serbinë.
Situata po ndiqet hap pas hapi edhe nga autoritetet ndërkombëtare, në një kohë që nuk ka ende prezencë të trupave të NATO-s dhe KFOR-it në këto zona.
Duket se Prishtina zyrtare është e gatshme dhe e vendosur që ta menaxhojë vetë këtë situatë, edhe pse ajo mendohet se edhe mund të përshkallëzohet.
/Priza.al/